Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut mysafir nderi në UKZ - diskutohet me studentët për sfidat dhe sukseset shqiptare në Maqedoni
Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ishte sot mikpritës i një ngjarjeje të veçantë akademike.
Me ftesë të Fakultetit të Shkencave Sociale, në ambientet e këtij institucioni u mbajt një diskutim i hapur me Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, i cili ishte mysafir nderi në këtë takim me studentët dhe stafin akademik të UKZ-së.
Pas përfundimit, para mediave, rektori i Universitetit, Artan Dërmaku e cilësoi këtë vizitë si një ditë të veçantë për universitetin, duke theksuar rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
“Kishim kënaqësinë të mirëpresim një mysafir të nderuar, i cili para studentëve dhe stafit tonë paraqiti jo vetëm arritjet e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, por edhe sfidat me të cilat përballen. Ai na inspiroi me vizionin për bashkëpunim më të afërt mes dy shteteve dhe mes universiteteve tona,” theksoi Rektori Dërmaku.
Ndërsa në fjalimin e tij, kryetari i kuvendit, Afrim Gashi u shpreh i nderuar për ftesën dhe për atmosferën mikpritëse në auditorin e UKZ-së.
“Kënaqësia për të qenë këtu ka qenë krejtësisht e imja. Takimi me studentët për mua është një festë. U ndjeva jashtëzakonisht mirë me një auditor të jashtëzakonshëm, me profesorë të përgatitur dhe studentë që bënë pyetje jo të lehta. Me njohuritë që kam, u përpoqa t’u përgjigjem, dhe besoj se kaluam shumë mirë. Kjo është një nxitje për një njohje më të afërt ndërmjet dy vendeve dhe një interes i përbashkët i shqiptarëve që jetojnë andej dhe këndej kufirit,” theksoi Gashi.
Diskutimi u karakterizua nga interaktiviteti dhe shkëmbimi i ideve për çështje politike, shoqërore dhe arsimore, ku studentët treguan interes të veçantë për rolin e shqiptarëve në institucionet e Maqedonisë së Veriut dhe mundësitë për bashkëpunim rajonal.
Vizita e Kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut u mbyll me zotimin për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet universiteteve dhe institucioneve përkatëse të të dy vendeve. /Telegrafi/


