Please enter at least 3 characters.

KRU “Gjakova” paralajmëron masa ligjore: Qytetarët po hedhin mbeturina në kanalizim

Ekipet e KRU “Gjakova” gjatë punës për zhbllokimin e tri pusetave të kanalizimit në rrugën “Ali Pashë Tepelena” në Gjakovë kanë hasur në sasi të mëdha mbeturinash të hedhura në rrjet.

Sipas kompanisë, nga pusetat janë nxjerrë kartonë, gurë, shishe qelqi, plastikë, shkopinj dhe hekurë me gjatësi deri në 1.5 metra. Për largimin e tyre është dashur punë disaorëshe, pasi këto mbeturina shkaktojnë dëme serioze në sistemin e kanalizimit dhe rrezikojnë funksionimin normal të tij.

KRU “Gjakova” ka bërë të ditur se kjo është hera e dytë brenda një viti që në këtë lokacion hidhen mbeturina të tilla në kanalizim.

Kompania u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos i përdorin pusetat si vende për hedhjen e mbeturinave, duke paralajmëruar se në rast të përsëritjes së këtyre veprimeve do të ndërmerren masa ligjore ndaj personave përgjegjës. /Telegrafi/