Krisja me Real Madridin - pesë klube rreshtohen menjëherë pas Fede Valverdes
Arsenali është një nga pesë klubet e mëdha evropiane që kanë shprehur interes për mesfushorin e Real Madridit, Federico Valverde, raporton TEAMtalk.
Interesimi vjen pas incidentit të ndodhur të enjten në qendrën stërvitore të “Los Blancos”, ku Valverde u përfshi në një përplasje me bashkëlojtarin Aurélien Tchouaméni.
Sipas raportimit, Valverde rrëshqiti dhe goditi kokën në një tavolinë në dhomën e zhveshjes, duke u dërguar më pas në spital për trajtim mjekësor. Theksohet se lëndimi nuk është shkaktuar nga Tchouaméni dhe vetë Valverde ka mohuar se ka pasur grushte.
Mjekët i kanë diagnostikuar uruguaianit një traumë kranioencefalike (një formë e dëmtimit traumatik të trurit) dhe i është rekomanduar pushim 10 deri në 14 ditë, sipas protokolleve standarde.
Ndërkohë, Real Madridi raportohet se ka hapur procedurë disiplinore ndaj të dy lojtarëve dhe i ka gjobitur me nga 500 mijë euro secilin. Duke qenë se Reali e luan ndeshjen e fundit të sezonit më 24 maj, pra brenda rreth dy javësh, ekziston mundësia – sipas raportimeve – që Valverde ta ketë zhvilluar tashmë ndeshjen e fundit me klubin madrilen, nëse nuk rikuperohet në kohë.
Ndryshe nga ai, Tchouaméni u rikthye në stërvitje të premten dhe luajti 90 minuta në “El Clasico”, ku Reali u mposht 2-0 nga Barcelona në “Camp Nou”.
Pesë klube në garë për uruguaianin
TEAMtalk shkruan se Arsenali e “admiron shumë” Valverden dhe është i interesuar ta sjellë 27-vjeçarin në Londrën e Veriut. Po sipas të njëjtit burim, situatën e mesfushorit e ndjekin edhe Chelsea dhe Manchester City nga Anglia, ndërsa interes ka shfaqur edhe Paris Saint-Germain.
Ndërkohë, Bayern Munich është klubi i pestë i madh që po e konsideron transferimin e Valverdes, duke e cilësuar si “lojtar ideal” për skuadrën e Vincent Kompany.
E ardhmja lidhet edhe me trajnerin e ri
Raportimet shtojnë se vendimet për transferime te Real Madridi mund të shtyhen deri në emërimin e trajnerit të ri, me Jose Mourinhon që përmendet si emër i mundshëm për ta marrë drejtimin e ekipit.
Portugezi, aktualisht në krye të Benficas, i ka minimizuar publikisht zërat për një marrëveshje, por thuhet se ka pasur bisedime pozitive në javët e fundit me presidentin Florentino Perez.
Sipas TEAMtalk, Mourinho besohet se është i bindur se personaliteti dhe standardet e tij do të rikthenin rregullin dhe harmoninë në skuadër, nëse rikthehet në “Santiago Bernabéu”. /Telegrafi/


