Please enter at least 3 characters.

Kosova dhe globalizimi: nga Somalia në Singapor një rrugë për ta bërë

Fuqitë e Mëdha janë përfitueset më të mëdha në procesin e globalizimit. Ky përfitim vjen nga fuqia e tyre për t’i determinuar marrëdhëniet me shtetet tjera dhe vetë procesin e globalizimit. Mirëpo, një pyetje hamendëse është: si është e mundur që disa shtete, edhe pse të vogla, përkundër procesit të globalizimit mund të kenë mirëqenie mbresëlënëse derisa të tjerat ‘gjithnjë’ janë vende të pazhvilluara? Shembull, Somalia është një vend i varfër me ekonomi të rrënuar, varfëri, dhe anarki. Në anën tjetër, Singapori është një vend i jashtëzakonshëm sa i përket rritjes ekonomike, zhvillimit të teknologjisë, pra, përkundër fuqisë së tij relative ai vend gëzon mirëqenie. Mënyra më e mirë për tu përgjigjur në këtë pyetje është vetë koncepti i fuqisë.

Ka disa teori që paraqesin pikëpamjen e tyre mbi konceptin e fuqisë (power). Realizmi klasik thekson se fuqia është e barabartë me resurset që një vend posedon. D.m.th. madhësia e popullsisë, gjeografia, pasuritë natyrore, territori etj. Por, humbja e SHBA-së në Luftën e Vietnamit dhe pastaj humbja e Bashkimit Sovjetik nga Afganistani e rrënoi kredibilitetin e këtij koncepti. Një Vietnam në çdo aspekt më inferior fitoi luftën. Si rezultat doli një koncept tjetër mbi fuqinë. Ky është koncepti i fuqisë efektive (effective power). Mbështetësit e këtij koncepti theksojnë se nuk ka rëndësi cilat janë resurset por në sa mënyrë efektive përdoren ato resurse. Shembull, nëse Kina ka më shumë se 1 000 000 000 banorë kjo nuk do të thotë se ka po aq fuqi (burime) njerëzore sepse mundësitë mobilizuese nuk janë në atë nivel. Singapori ka një popullsi të vogël (katër milion) por avancimi në të gjitha rrafshet shoqërore (shembull rrafshi teknologjik) është i jashtëzakonshëm. Pra, është një shfrytëzim efektiv i popullsisë.

John Rawls, një ndër politologët më të shquar të teorisë normative, thekson se prosperiteti i një vendi nuk varet nga resurset natyrore por nga mundësia e njerëzve që ti zhvillojnë talentet e tyre. Në këtë rrafsh Somalia nuk ka bërë ndonjë veprim, prandaj, është një shtet i dështuar (failed state). Përkundër supozimit që Somalia është e pasur me naftë ky burim i mirëqenies nuk është i shfrytëzueshëm sepse mungojnë talentet. Somalia nuk ka arritur të vendosë një strukturë të drejtë të shoqërisë ku secili individ do të kishte mundësinë të zhvillonte talentin e tij. Ky parim vlen edhe për shumë shtete tjera në botë që nuk kanë arritur të zhvillohen. Për ndryshim nga Somalia, Singapor ka krijuar një mundësi që njerëzit të zhvillojnë talentet e tyre. Aq më tepër, në mes të vendeve të industrializuara ka një konkurrencë shumë të madhe që sa më shumë dhe sa më mirë të i zhvillojnë talentet e tyre. Shembull, nxënësi i klasës së katërt në Singapor mëson matematikën që nxënësit amerikanë e mësojnë në klasën e shtatë. Pra, është një luftë e madhe për dije sepse dija është fuqi dhe rrugë drejt shfrytëzimit sa më të mirë të resurseve njerëzore dhe natyrore.

Në këtë situatë, Kosova përngjan më shumë me Somalinë ndonëse është më e avancuar. Pasuritë nëntokësore, territori i vogël, fuqia e vogël si shtet, popullsia e re nuk janë përcaktues të zhvillimit tonë në rrafshin shoqëror në përgjithësi dhe në rrafshin ekonomik në veçanti. Sa i përket zhvillimit ekonomik, shpeshherë flitet si përparësi fakti që përqindja më e madhe e popullsisë është e re dhe kjo kategori e njerëzve do të jetë një katalizator i zhvillimit dhe rritjes ekonomike. Por, ekzistimi i një fakti të tillë s’mund të jetë pozitiv nëse ne nuk e shfrytëzojmë në mënyrë efektive (duhur).

Duke u nisur nga teoria normative dhe praktikat e shteteve tjera, që Kosova të ketë sukses në zhvillimin e gjithmbarshëm në epokën e globalizmit ne duhet të kemi një strukturë të drejtë (just) shoqërore. Në regjimet komuniste kjo nënkuptonte barazi për të gjithë proletariatin. Në sistemin Evropian nënkupton barazi para ligjit për të gjithë individët. Dhe, në atë amerikan nënkupton barazi kushtesh për të gjithë individët. Cila do që të jetë nga këto dy të fundit është një rrugë e mirë për të qenë një shtet i suksesshëm. Shembull, nëse konkurset për punë të shpallura nga ana e qeverisë do të ofronin mundësi të barabarta për konkurrentët aty do të punësoheshin më të përgatiturit për atë punë. Kjo do të reflektonte pozitivisht në dy aspekte. Aspekti i parë është ai i funksionalitetit. Punësimet e duhura do të bënin një administratë të efektshme dhe kreative për shkak të etablimit të elementit të profesionalizmit. Aspekti i dytë do të ishte dija. Nëse për një vend pune duhet të jesh sa më profesional sepse është kushti bazë për punësim atëherë shumë të rinj do të orientoheshin në arsimim sa më cilësor. Pra, nuk do të kishim studentë vetëm në aspektin kuantitativ por edhe në atë kualitativ. Dhe ky i fundit përcakton shfrytëzimin e resurseve në mënyrë sa më efektive.

Por, si mund ne t’i bëjmë konkurrencë vendeve si Singapori që kanë krijjuar traditë në këtë proces të globalizimit? Proceset politike ne politikën botërore nuk janë vetëm në krijimin e regjimeve të ndryshme (p.sh. ekonomike) në nivel global. Ato përcaktohen edhe në nivel regjional dhe ky përcaktim ka disa rrjedhoja për Kosovën. E para, Kosova lidhet me regjimet e krijuara nga Bashkimin Evropian. Rregullat e BE mëtojnë që të krijojnë një shoqëri evropiane e aftë të përballet me sfidat e globalizimit. Duke ndjekur këtë rrugë të trasuar nga BE (Marrëveshja e Lisbonës) Kosova mund të arrij një strukturë shoqërore e bazuar në drejtësi si dhe zbatimin e praktikave më të mira. E dyta, në ekonominë botërore dy tregjet më të mëdha janë i SHBA-së dhe BE-së. Kjo nënkupton që shumë kompani do të jenë të interesuara të hyjnë në këto tregje. Në këtë aspekt, investimi bëhet në shtetet që janë në rrugën e anëtarësimit në BE. Kjo nënkupton që konkurrenti ynë nuk janë vendet si Singapori por vendet si Serbia, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina, dhe Shqipëria. Në këtë mes, krijimi i lehtësirave legjislative, qeverisja efikase dhe kreative (krijimi i parqeve industriale) do të jenë përcaktues të primatit në rajon.

Në përfundim, formimi i një strukture shoqërore të bazuar në drejtësi për të gjithë është një parakusht që Kosova të ndjek shembullin e vendeve si Singapori. Fuqia jonë relative nuk është përcaktues i pozitës tonë në proceset globalizuese por do të jetë efikasiteti i shfrytëzimit të potencialeve tona. Kjo dmth se krijimi i kushteve për individët që të zhvillojnë talentet e tyre do të rezultojë në një Kosovë të aftë të përballet me sfidat në botën e globalizuar.