Korab Basha shpallet fitues i konkursit fotografik “Faji i Korrupsionit” nga KDI
Fotografi i Telegrafit, Korab Basha, është shpallur fitues i konkursit fotografik “Faji i Korrupsionit”, organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).
Ky konkurs synon të sjellë në pah fuqinë e fotografisë si mjet për të adresuar dhe denoncuar dukuritë negative në shoqëri, veçanërisht korrupsionin dhe ndikimin e tij në jetën e qytetarëve.
Fotografia e Bashës ka tërhequr vëmendjen e jurisë falë qasjes kreative, profesionalizmit dhe aftësisë për të transmetuar mesazhin e fortë shoqëror përmes objektivit të kamerës.
Korab Basha, një fotograf me përvojë shumëvjeçare, prej vitesh njihet për qasjen e tij profesionale dhe për kontributin e vazhdueshëm në dokumentimin e realitetit shoqëror në vend. Përveç punës së tij të përditshme në Telegrafi, ai ka realizuar edhe një numër të madh ekspozitash personale dhe kolektive, duke e prezantuar punën e tij brenda dhe jashtë vendit. Fotografia e tij shpesh shihet si një ndërthurje mes artit dhe gazetarisë vizuale, me fokus tek njeriu, hapësira dhe rrëfimi që ndërtohet përmes dritës e hijes.
Pas pranimit të çmimit, Basha e dedikoi atë bashkëvendësve të tij nga Gjakova. “Këtë çmim ua dedikoj gjakovarëve të mi, pasi fotografitë janë dokumentim i pjesëve të një qyteti që ka nevojë për përmirësim, sepse gjakovarët meritojnë më mirë”, tha Basha.
Ai theksoi se puna e tij synon të tërheqë vëmendjen tek problemet që prekin përditshmërinë e qytetarëve, duke përdorur artin si mjet ndërgjegjësimi dhe nxitje për ndryshim. Përmes përdorimit të teknologjisë bashkëkohore dhe inovacionit, ai ka dhënë një kontribut të çmuar në dokumentimin e realitetit dhe në pasurimin e narrativës vizuale në vend. /Telegrafi/


