Kongresistët amerikanë në Luginën e Preshevës: Serbia duhet t’i adresojë problemet e shqiptarëve
Kongresistët amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam kanë vizituar të hënën Luginën e Preshevës, ku u takuan me përfaqësues politikë dhe institucionalë shqiptarë për t’u njohur nga afër me sfidat dhe pozitën e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Delegacioni bipartizan i Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës zhvilloi takime me deputetin shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, kryetarin e Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, si dhe kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani.
Gjatë takimeve, në fokus ishin çështje si pasivizimi i adresave, mungesa e integrimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore të Serbisë, mosnjohja e diplomave nga Kosova, kufizimet në përdorimin e gjuhës shqipe, mungesa e teksteve shkollore dhe pabarazia në zhvillimin ekonomik e institucional.
Kongresisti Keith Self tha se gjatë vizitës kanë parë nga afër problemet me të cilat përballen shqiptarët në Luginë.
“Kemi parë se ka probleme reale mes shqiptarëve dhe Serbisë, siç edhe e kemi ditur. Por, do të shkojmë edhe në Kosovë për të mësuar për pakicën serbe atje. Pra, po i vizitojmë të dyja vendet për të kuptuar se si trajtohen pakicat dhe cilat janë të drejtat e tyre”, deklaroi ai.
Ndërkaq, kongresisti Suhas Subramanyam theksoi se çështje si arsimi, zhvillimi i pabarabartë dhe pasivizimi i adresave kërkojnë trajtim serioz institucional, duke shtuar se Serbia duhet t’i adresojë këto probleme nëse synon avancim në rrugën euroatlantike.
Deputeti shqiptar Shaip Kamberi e cilësoi vizitën e delegacionit amerikan si një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të çështjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Ai theksoi mungesën e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore të Serbisë dhe mosbesimin e qytetarëve ndaj këtyre institucioneve.
Gjatë takimeve u shpreh edhe mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës ndër vite, si dhe për iniciativat në Kongresin amerikan që trajtojnë të drejtat e shqiptarëve në Serbi.
Në këtë kuadër u përmend edhe projektligji i iniciuar nga kongresisti Keith Self në Komitetin për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, i cili kërkon raportim gjithëpërfshirës mbi gjendjen e pakicave në Serbi, me fokus të veçantë te shqiptarët në Luginën e Preshevës.
Bashkëbiseduesit vlerësuan se prania dhe mbështetja amerikane mbeten të rëndësishme për ruajtjen e stabilitetit, avancimin e demokracisë dhe garantimin e të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët në rajon.


