Komuna e Istogut apelon te fermerët për kujdes gjatë korrje-shirjeve, kërkon masa për parandalimin e zjarreve
Komuna e Istogut njofton të gjithë fermerët, auto-kombajnerët, prodhuesit dhe akterët e përfshirë në procesin e korrje-shirjeve që gjatë sezonit të respektojnë masat për parandalimin e zjarreve dhe zhvillimin e sigurt të punimeve.
Sipas njoftimit masat që duhen të ndërmerren janë disa si: Të merren të gjitha masat parandaluese për mbrojtjen e jetës, pronës dhe prodhimit bujqësor, çdo autokombajnë dhe makineri të pajiset me aparat zjarrfikës (P-9), kazmë dhe lopatë, etj.
" Të bëhet pastrimi i filtrave, servisimi dhe furnizimi me karburant të bëhen vetëm në vende të sigurta, jashtë sipërfaqeve të mbjella me grurë, në sipërfaqe të mëdha të krijohen shirita ndarës për të kufizuar përhapjen e mundshme të zjarrit, ndalohet rreptësisht pirja e duhanit gjatë korrje shirjeve dhe brenda autokombajnave, ndalohet përdorimi i flakës së hapur ose pajisjeve që krijojnë shkëndija pranë parcelave bujqësore", thuhet në njoftim.
Ndërkaq, siç thuhet në njoftim në raste emergjente mund të kontaktoni: 112 – Qendra Operative Emergjente, 193 – Zjarrfikësit në Istog, 192 – Policia e Kosovës. /Telegrafi/


