Komuna e Gjilanit kërkon largimin e objekteve dhe mbeturinave nga hapësirat pranë banesave sociale
Pas ankesave të qytetarëve për vendosjen e objekteve montuese, gjësendeve dhe mbeturinave pranë objekteve të banimit social, inspektorët e Shërbimeve Publike në Gjilan kanë zhvilluar kontrolle në terren.
Sipas njoftimit nga Drejtoria e Inspeksionit, pronarët e objekteve të ndryshme montuese dhe gjësendeve që janë vendosur afër banesave sociale, janë të obliguar t’i largojnë ato nga hapësirat publike deri më 30 prill në orën 24:00.
“Njoftojmë pronarët që të largojnë objektet dhe gjësendeve nga hapësirat publike më së largu deri më 30 prill. Në rast të mosveprimit nga ana e tyre, Komuna do të ndërmarrë largimin me shpenzime që do t’i ngarkohen pronarëve”, thuhet në njoftim.
Ky veprim synon ruajtjen e rendit, sigurisë dhe higjienës në hapësirat pranë objekteve të banimit social, duke garantuar një ambient të pastër dhe të sigurt për qytetarët. /Telegrafi/


