Kojotët
S’ka ma keq se me qenë grabitqar, e mos me ta dashtë gjahu! S’ka ma keq se me qenë nokturnal, por dita me diell me qenë e vetmja kohë kur ti guxon të dalësh për gjah! S’ka ma keq se të jesh mishngrënës, por të kënaqesh vetëm me cuklat e kërmave të grabitqarëve të tjerë! S’ka ma keq se gjithë jetën të jesh në anën e ujqve, po as ujk të mos jesh!
Kojotët, që jetojnë kryesisht në Amerikën Veriore, janë predatorë, po gjahu s’u ecë edhe aq shumë. Vetëm në mungesë të ujqve, ata dalin në pah. Kur ujqit janë vërdallë, ata presin përreth, duke lëpirë buzët dhe duke u përpjekur t’i ndalin jargët që u shkojnë nga dëshira për prenë, e cila dergjet në gojët e grabitqarëve të mëdhenj.
Është shembull legjendar rasti i Parkut Yellowstone në Amerikë. Vetëm kur ujqit u zhdukën, kojotët erdhën në skenë, u shumuan dhe filluan t’i zhdukin kafshët e imta. Sapo kishte një program për rivitalizimin e ujqve - gjë që ndihmonte në ekuilibrin e shkatërruar në Yellowstone - kojotët qenë të detyruar t’u kthehen pozitave të palavdishme të gjuetisë: pjesë të mbetura nga gjahu i ujqve, mbeturina të njerëzve e ndjekje dëshpëruese të presë së mjerë. Megjithatë, ata mbetën se mbetën predatorë - nga natyra e tyre.
Deri para dhjetë vjetësh, nuk dija se edhe në Kosovë ka kojotë. Për ujq e dija. Ky vend dhe Ballkani përgjithësisht, është parajsë për ujq. Në një rajon me lugina të thella ku mjegulla mbizotëron, ujqit ndjehen në shtëpi. Por, për kojotë nuk e dija. Këtu, kojotët i kanë dy këmbë - i vetmi dallim nga ata të Parkut Yellowstone. Natyra, sjellja, lakmia, pabesia, egërsia, frika dhe pasiguria - po ajo. Por, çuditërisht dhe ndryshe nga Parku Yellowstone, kur ujqit morën primatin, na u shtua edhe numri i kojotëve. Duke parë skenën makabre, me prenë që dergjej në gjakun e vet, kojotët lindën si kërpudhat pas shiut. U mor vesh, duke e ditur dobësinë e tyre, kurrë gjah për vete nuk mundën të zënë, po kërmat që hidhnin ujqit ishin të mjaftueshme për të shuar urinë e tyre për prenë. Sytë u xixëllonin, jargët shiheshin nga larg kur u hidheshin viktimave, të cilave ujqit tashmë ua kishin nxjerrë shpirtin.
Dhe, prapë, shih çudinë, ujqit jo që i ndoqën, po i lanë të rrinë afër tryezës së përgjakur. Për më tepër, duke e parë ngurrimin dhe tmerrin në sytë e tyre, u hodhën nga një asht dhe i ftuan të rrinë me ta, ndanë tyre, përreth tryezës ku po dergjeshin pretë e tyre, ku po dergjeshim ne dhe liria jonë.
Dhe, u mor vesh, sytë xixëlluan prapë, jargët filluan e u shumuan dhe kojotët u futën në vorbullën grabitqare. Si inferiorë, kurrë nuk patën gjak të freskët, por copa të mishit tepronin nga ujqit sa të donin. Copa të Kosovës, copa të lirisë, copa të pasurisë shoqërore, që pikonin ende gjak, u përlanë edhe nga kojotët, nën një dehje kolektive. Dhe, u forcuan e ftuan edhe kojotë të tjerë të afrohen.
Dhe, prapë u mor vesh, në zonën e gjahut dhe gjakut, në fillim druajshëm po pastaj çdo herë e me më shumë entuziazëm pamë të afrohen kojotë që s’i kishim ditur për të tillë. Ndoshta pse pa ndihmën e ujqve, ata s’do të mund të zinin pre tjetër përveç eshtrave në kontejnerët e bërllokut. Dhe, s’kishte si ndodhte ndryshe, kojotët ishin zënë në kurth. Në një kurth të ngritur nga ujqit. Edhe po të donin, tani ishin futur në qerthullin e gjuetisë dhe s’mund të dilnin nga aty. Shembujt e atyre që u përpoqën të iknin, ishin mësim i mirë për kojotët tjerë të zënë në kurth. Në kurthin, ku kishin hyrë me dëshirë.
Sidoqoftë, ta lëmë këtë habitatin pjellor të kojotëve tanë dhe të kthehemi atje ku ata jetojnë në kushte më të egra. Inferiorë nga aftësitë dhe mundësitë që u ka falur natyra, kojotët megjithatë kanë prodhuar një metaforë që është legjendare në përdorimin e saj. Përkundër të gjithave, ata duken se e duan lirinë aq shumë sa që në rastet kur bien në kurthet e gjahtarëve, e këpusin me dhëmbë gjymtyrën dhe ikin drejt lirisë. Në shumicën e rasteve, kjo do të thotë ikje drejt vdekjes, po kojotët dëshpërimisht duan t’i kthehen lirisë. Nuk duan t’i zënë në kurthin ku kanë rënë.
Prandaj, metafora e njohur botërore, e cila në anglisht paraqitet si “coyote ugly”, përçon një mesazh. Duke u nisur nga analogjia me jetën reale, metafora përdoret për meshkujt e shkujdesur që nën ndikimin e alkoolit dhe qejfit të natës, shkojnë në shtrat me çfarëdo femre që u del përpara në ato orë të stuhishme. Në mëngjes, kur pija ka dalë dhe pak arsye është kthyer në kokat e tyre, e shohin kurthin ku kanë rënë. Femra e shëmtuar është shtrirë afër tyre dhe u ka bllokuar krahun. Të dëshpëruar, këta meshkuj - metafora thotë - këpusin krahun që mos ta zgjojnë femrën. Këpusin krahun për t’u liruar nga kurthi ku kanë rënë vetë. E këpusin krahun se e duan më shumë lirinë se sa jetën në kurthin ku kanë rënë me vetëdëshirë...
Kthehemi te habitati ynë. Me qimet që ju shkëlqejnë, ujqit janë majmur dhe po rrinë në hije, të relaksuar pse shumicën e punëve të ndotura kojotët po i kryejnë. Shumë nga kojotët e kanë parë ku kanë rënë dhe dëshpërimisht po duan të dalin nga kurthi. Nga kurthi ku gjymtyrët e tyre po pikojnë gjak. Çuditërisht dhe çmendurisht, të thirrur nga një klithje e largët dhe makabre e natyrës së vet, të tjerë kojotë po hyjnë në skenë. Në skenë dhe në kurth. Dhe, të dy palët pastaj, duke na shikuar me dëshpërim, po përpiqen të dalin nga kurthi. E dinë se për t’u liruar nga aty, duhet të sakrifikojnë shumë. Duhet të harrojnë luksin, yndyrën që u shkëlqen në buzë, gjahun e siguruar nga ujqit, emrin dhe famën mjerane, e nganjëherë edhe larjen e fajeve të vjetra. Duhet të shkëputen dhe të këputin gjymtyrët që ua kanë bllokuar. Për lirinë ia vlen!? Dhe, na shikojnë me dëshpërim dhe agoni! Na thonë se përpjekja për lirinë e tyre mund të jetë fundi i tyre. Dhe ne u themi...
Diku në fillim të vitit 1990, pati një krisje në diktaturën më të poshtër komuniste. Edhe në Shqipërinë e harruar njerëzit po zgjoheshin. Pas një gjysmëshekulli errësire, një vrushkull drite depërtoi në zemrën e drobitur të shqiptarëve. Dhe, ata vërshuan rrugëve si një përrua moti i fjetur, që ishte bërë befas i papërmbajtur. Erdhën edhe gazetarë të huaj, pas një harrimi të gjatë. Edhe ata çuditeshin me guximin e shqiptarëve të atyre ditëve. Një gazetar i huaj e pyeti një protestues në rrugët e Tiranës: "Si nuk keni frikë?! Ata mund t'ju vrasin”? Qytetari shqiptar u përgjigj: "Ne nuk kemi frikë nga vdekja, sepse ne të vdekur jemi".
Ju, edhe ashtu, të vdekur jeni! Ju kojotë që keni qenë sahanlëpirës të ujqve, pas davaritjes së kësaj tymnaje dhe mjegulle që aq shumë e deshët, do të stërkeqeni, do të deformoheni, do të veniteni, do të zhdukeni, do të ikni! 8 qershori i këtij viti dhe shumë 8 qershorë të tjerë nuk mund t’ju kthejnë te ne!


