Klubet evropiane interesohen për yllin e Juventusit
I rëndësishëm në strukturën mbrojtëse të Juventusit, ndikimi i Pierre Kalulu nuk ka kaluar pa u vënë re në tregun e transferimeve.
Mediat italiane kanë zbuluar tashmë tre klube të Ligës Premier që po ndjekin me interes situatën e mbrojtësit francez në prag të afatit kalimtar së verës.
Çdo afat kalimtar sjell spekulime dhe zhvillime të shumta rreth planeve të klubeve më të mëdha të futbollit evropian.
Këtë herë, vëmendja është përqendruar te Juventusi, i cili vjen pas një ndalese të papritur në Serie A, pas humbjes ndaj Cagliarit.
Sa i përket organikës, drejtuesit bardhezinj janë të kënaqur me paraqitjet dhe autoritetin e treguar nga një prej shtyllave të repartit defensiv.
Bëhet fjalë për Pierre Kalulu (25 vjeç), i cili është shndërruar në një element kyç në skemat taktike të ekipit torinez.
Edhe pse kontrata e tij me Juventusin është e vlefshme deri në verën e vitit 2029, forma e shkëlqyer e francezit ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve angleze për afatin e ardhshëm të transferimeve.
Sipas asaj që raporton CalcioMercato, Aston Villa, Tottenham Hotspur dhe Manchester United janë të interesuara për të siguruar shërbimet e mbrojtësit në verë.
Një garë e trefishtë që mund të shkaktojë shqetësim në kampin bardhezi, duke qenë se Kalulu konsiderohet një lojtar që po fiton gjithnjë e më shumë vlerë në tregun evropian. /Telegrafi/


