Kështu arriti Nora Gjakova nga lëndimi te medalja e artë
Xhudistja pejanë e cila nuk e nisi mirë këtë vit pas lëndimit të pësuar, megjithatë, ajo u rikthye fuqishëm, duke fituar medaljen e artë në Kampionatin Evropian.
Nora në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se fillimi i këtij viti ka qenë i vështirë për të, por sipas saj, pjesa e dytë e vitit 2014, ka qenë mjaft i suksesshëm duke prekur titullin e kampiones së Evropës. Nora thotë se nuk ka qenë lehtë që nga lëndimi të arrihet medalja e artë.
“Ka qenë një vit mjaft i vështirë për mua, sepse ka qenë viti kur jam rikthyer prej lëndimit që e kam pas gati tetë muaj. Mirëpo, prej qershorit kam filluar më garat ndërkombëtare. Në fillim kisha mjaft vështirësi për ta rikthyer vetëbesimin, mirëpo tani në garën e fundit në Kampionatin Evropian arrita të fitoj edhe medalje”, ka thënë Gjakova.
Ajo e pranon se pas rikuperimit nga lëndimi është dashur shumë punë për ta rigjetur formën më të mirë. Nora thotë se punën që është bërë, me ndihmën e trajnerit, por edhe me përkrahjen e anëtarëve të klubit, ia ka dalë të gjejë përsëri formën më të mirë.
Nora me paraqitjet në arenën ndërkombëtare si dhe me medaljen e fituar në Kampionatin Evropian, dëshmoi se është në rrugën e duhur që të arrijë medalje të shumta në evenimentet evropiane e botërore ashtu siç po bën Majlinda Kelmendi.
Gjakova duke folur për ambiciet e ardhshme thotë se objektiv primar i saj është arritja e normës olimpike për Lojërat Olimpike ‘Rio 2016’.
“Prej vitit 2015 do të fillojmë më ndjek normën olimpike edhe pse ka filluar nga viti 2014. Kemi edhe një vit e gjysmë kohë, kështu që ky do të jetë objektivi kryesor, arritja e normës olimpike, mirëpo deri aty kemi edhe gara tjera. Është Kampionati Evropian për senior dhe Kampionati Botërore”, tha Nora.
Ajo shpreson se viti 2015 do të jetë edhe më suksesshëm, derisa Nora beson se më koha do të arrijë normën olimpike për ‘Rio 2016’. /KP/Telegrafi/


