Please enter at least 3 characters.

Kemi gjithçka, por mungon njerëzorja

Ilustrim

Në këtë kohë ku gjithçka duket e lidhur, njeriu është bërë më i shkëputur se kurrë. Jetojmë në mes, aty ku ndjenja humbet mes ekranit dhe vetmisë. Në një botë që ka gjithçka, mungon më e thjeshta: njerëzorja. Kemi përparuar në shumëçka, përveç në ndjesi. Kjo botë ka këta njerëz bosh, me dukje, vetëm. Jo martesë, jo lindje. Luftë, viruse, teknologji.

A është më e mirë se dje? Po nesër?

Nuk mundemi ta lëmë të rrjedhë si normalitet atë që na shkatërron ekzistencën dhe vazhdimësinë shoqërore. Botë reale, botë virtuale - dy kohë paralele, të jetuara nga i njëjti njeri, në të njëjtën kohë. Kuptimi i paradoksit dhe i absurdit. Duket sikur perceptimet janë bërë të njëjta nga cepi në cep dhe ndikimi po ashtu.

U njëtrajtësuam pa vetëdije, pa dashje u bëmë një dhe u takuam në një realitet të tjetër lloj. Mbase jemi për të qenë, për të dashur veten dhe tjetrin - thjesht, pa lule dhe pa kompromise sociogjeopolitike.

Humani i dehumanizuar është lloji tjetër i njeriut, ai që ndjen më pak, do më pak. Shoqëritë mund të jenë të dhëna pas kotësive, por duket se ekziston një rikthim tek e mëparshmja. Përsiatjet tona janë shpesh apatike e anomike. Raporti i ditur-i paditur ka kufij të rinj, po aq sa e vërteta bëhet mashtrim dhe anasjellas. Shoqëritë janë njësoj nga cepi në cep, me të njëjtat problematika deviante dhe me të njëjtat gëzime virtuale.

Diçka ka ndryshuar në këtë kohë vetmitare, përplot me ndjekës, pëlqime dhe komente. Duket se vlera po bazohet në antivlerë dhe vetë njeriu e ka bërë këtë. E gjitha është një eksperiment social i vullnetshëm ose jo, por me fryte jo bio. Njëtrajtësimet përqafohen lehtë dhe masa mbetet një masë pa formë e përmbajtje. Nëse na ikën logjika, ndjeshmëria dhe ca të tjera, na trazohen shtresat e ndërgjegjes shoqërore. Ne mund të jemi, të kemi, të shtojmë shumëçka, por dashurinë dhe gëzimin i kemi të paktë, po aq sa trishtimin e pikëllimin tonë social. Në fund, njeriu mbetet përballë vetes në një botë që ka gjithçka, por kërkon sërish kuptimin e të qenit njeri.

true