Please enter at least 3 characters.

Këmbësori vdes pas aksidentit në Podujevë-Prishtinë, arrestohet shoferi

Këmbësori goditet nga vetura në rrugën PodujevëPrishtinë, ndërron jetë – arrestohet i dyshuari

Një këmbësor ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të trafikut që ka ndodhur mbrëmë në rrugën Podujevë–Prishtinë.

Rasti ka ndodhur më 24 gusht, rreth orës 20:30, ku një automjet ka goditur një këmbësor, i cili fillimisht kishte pësuar lëndime trupore dhe ishte dërguar për trajtim në QKUK.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Me datën 24 gusht 2026, rreth orës 20:30, kemi pranuar informatën se në rrugën Podujevë-Prishtinë ka ndodhur një aksident trafiku. Në këtë aksident ka qenë i përfshirë një automjet dhe një këmbësor”, ka deklaruar Ahmeti.

Sipas saj, sot rreth orës 10:00, Policia ka pranuar informatën nga QKUK-ja se këmbësori, i cili ishte i lënduar në aksident, ka ndërruar jetë.

Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion.

Ndërkohë, hetuesit e Njësitit të Trafikut Rajonal kanë zhvilluar hetime intensive për identifikimin e personit që dyshohet se ishte duke drejtuar automjetin.

Sipas Policisë, i dyshuari ishte larguar nga vendi i aksidentit, por pas veprimeve hetimore është identifikuar dhe lokalizuar.

“Personi i dyshuar, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, ka bërë të ditur Ahmeti.

Rasti po vazhdon të hetohet nga njësitet kompetente të Policisë së Kosovës.