Kelmendasit e Sremit (1782)
Fis i ashpër i kelmendasve nga Veriu i Shqipërisë, u lidh me Austrinë gjatë Luftës Austro-Ruso-Osmane të viteve 1735-1739. Kur trupat austriake u tërhoqën nga Ballkani jugor, luftëtarët kelmendas në Kosovë dhe në Sanxhakun e Novi Pazarit nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të tërhiqeshin drejt Veriut (këtu, nën udhëheqjen fiktive të një figure të quajtur Klement). Në fund, ata arritën të gjenin strehë të sigurt në rajonin e Sirmiumit (Srem), të vendosur mes lumenjve Danub dhe Savë, në perëndim të Beogradit në Serbinë e sotme. Aty, në vitin 1749 ose 1755, kelmendasit u vendosën në dy ose tri fshatra, ku ruajtën gjuhën, zakonet dhe fenë katolike deri thellë në shekullin XIX. Madje, mund të gjendeshin disa folës të gjuhës shqipe aty deri vonë në vitin 1921. Raporti i mëposhtëm, botuar në vitin 1782 në Revista hungareze ose kontribute për historinë, gjeografinë, shkencat natyrore dhe letërsinë e kohës në Hungari, ishte artikulli i parë shkencor për Kelmendasit e Sirmiumit. Autori i tij, Karl Gottlieb von Windisch (1725-1793), një tregtar dhe dijetar gjermano-hungarez nga Presburgu (Bratislava), përfshin një mostër interesante të dialektit shqip të Sirmiumit. Transkriptimi gjerman i termave shqip është përshtatur këtu në një transkriptim anglisht [në këtë publikim në shqipen e sotme - shën. i T.].
Nga: Karl Gottlieb von Windisch
Përktheu (nga gjermanishtja) në anglisht: Robert Elsie[1]Përktheu (nga anglishtja) në shqip: Agron Shala
Pasi me guxim dhe mençuri mbrojti atdheun e vet për njëzet vjet kundër turqve, heroi i njohur Gjergj Kastrioti, i njohur me emrin Skënderbeu, u mposht më në fund në vitin 1447 nga fuqia superiore e Sulltan Muratit, apo Amuradit të Dytë, dhe ai braktisi vendin përballë zemërimit të turqve dhe shpëtoi jetën e vet duke u arratisur. Meqenëse shqiptarët luftuan gjithmonë me trimëri të jashtëzakonshme kundër turqve dhe shpesh i zmbrapsnin armiqtë të cilët tërhiqeshin me koka të përgjakura, ata u shtypën aq rëndë nën sundimin osman saqë shumë prej tyre u detyruan të përqafonin fenë muhamedane për të lehtësuar vuajtjet e veta.
Për një kohë të gjatë, të krishterët që kishin mbetur vuajtën çdo lloj fatkeqësie, dhe kur veçse kishin humbur çdo shpresë për t’u çliruar prej tyre dhe po mendonin me të vërtetë për fundin dhe shkatërrimin e tyre, u ngrit mes tyre një burrë i cili vendosi t’i shpëtonte. Një përpjekje e tillë nuk mund të dështonte me një hero që kishte shërbyer nën udhëheqjen e të madhit Kastriot, i cili kishte shumë vendosmëri dhe zgjuarsi dhe që gëzonte respekt të lartë nga populli i vet.
Klementi - i tillë ishte emri i këtij atdhetari - ua zbuloi planin disa bashkëkombësve të tij dhe këta të fundit mblodhën një turmë prej pothuajse njëzet mijë shqiptarësh të aftë dhe të armatosur, të cilët në vitin 1465 ai i udhëhoqi me sukses, së bashku me familjet dhe pasuritë e tyre, drejt maleve të pabanuara dhe shumë të largëta ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë. Këtu ata ndërtuan shtëpitë e veta, ngritën barriera mbrojtëse në të gjitha hyrjet dhe krijuan një shtet të vogël të lirë, duke zgjedhur udhëheqësin e tyre, Klementin trim, si kryetar. Prej tij rrjedh emri Klementin [Kelmend], i cili u përvetësua nga bashkëkombësit e atyre që kishin mbetur në atdhe dhe që ata e mbajnë deri në ditët e sotme.
Turqit, të cilët ishin shumë të dobët për ta penguar këtë shpërngulje, dërguan fjalë në Portë dhe kjo e fundit dërgoi një kontingjent njerëzish për t’i sulmuar. Por, ata u mbrojtën, jo vetëm në atë rast, por edhe në vitet e mëvonshme - gjithmonë me shumë guxim - dhe i zmbrapsën të gjitha sulmet e armiqve të tyre. Megjithatë, kur pas Betejës tragjike të Mohaçit në vitin 1526 të krishterët humbën pothuajse të gjithë territorin e Ilirisë, edhe ata u detyruan të paguanin një haraç vjetor, prej katër mijë dukatesh, ndaj turqve. Ata qëndruan të qetë në malet e veta, kullosën bagëtitë dhe u rritën duke u bërë një fis me reputacion.
Më në fund, në vitin 1737, së bashku me shumë familje boshnjake, bullgare dhe shqiptare, ata u bindën nga patriarku grek i Beogradit, Arsen Jovanoviqi, të emigronin në Serbi. Pothuajse njëzet mijë nga këta njerëz u mblodhën në vendbanimin e caktuar në Valevë, në lumin e vogël të Kolubarit, por aty u sulmuan nga turqit dhe u masakruan, me përjashtim të afërsisht një mijë burrave. Ndër ata që arritën të shpëtonin ishin treqind burra kelmendas me gratë dhe fëmijët e tyre, të cilët u drejtuan për në Beograd dhe më pas, nën udhëheqjen e një prifti të quajtur Suma, krijuan shtëpitë e veta në Sirmium [Srem] ku, në afërsi të Mitrovicës, themeluan fshatrat Hërtkoc dhe Nikinc që ndodhen jo larg lumit Sava. Këto dy fshatra janë mjaft të bukura dhe të ndërtuara mirë, dhe kanë kisha në të cilat fretërit françeskanë mbajnë meshë. Meqenëse ata janë pothuajse të gjithë të përkushtuar ndaj fesë katolike romake, meshën e mbajnë në latinisht.
Kelmendasit përbëhen nga gjashtë familje (fis), nga të cilat tri banojnë në secilin prej fshatrave të përmendur. Ashtu si edhe popujt e tjerë orientalë, zakonet e tyre janë disi të ashpra, por jo të egra. Tiparet e karakterit të tyre përfshijnë ndershmërinë, besnikërinë, maturinë dhe prirjen për luftë. Ndër të metat e tyre janë hakmarrja dhe shpërthimet e dhunshme të zemërimit.
Ata martohen në moshë të re - burrat zakonisht në të njëzetat, ndërsa vajzat kur janë trembëdhjetë apo katërmbëdhjetë vjeçe. Megjithatë, një kelmendas nuk martohet kurrë me dikë jashtë kombit të vet. As grave nuk u lejohet të marrin burra të huaj. Për këtë arsye, ata kanë mbetur të papërzier deri në ditët e sotme. Sa i përket trupit, ata janë njerëz të gjatë, të hollë, më të lartë se mesatarja, dhe tiparet e fytyrës së tyre janë të rregullta dhe të këndshme, aq sa mund të dallohet lehtësisht një kelmendas nga një ilir [kroat]. Gratë janë jashtëzakonisht të bukura dhe tërheqëse kur janë të reja, dhe burrat janë, siç duhet, shumë krenarë për to dhe jashtëzakonisht xhelozë. Prandaj, nuk këshillohet të flasësh me një grua kelmendase, as gjatë ditës, pa qenë të tjerët të pranishëm, sepse, nëse ndodh që të vijë burri i saj, ka shumë mundësi që njeriu të vritet në vend.
Të afërmit zakonisht jetojnë të gjithë bashkë në një shtëpi të vetme, që do të thotë se shpeshherë tridhjetë ose më shumë familje banojnë në të njëjtën ndërtesë. Shtëpitë e tyre janë përgjithësisht të mëdha dhe shumë të pastra. Ushqimi i tyre nuk është i shijshëm, por nuk është aq i tmerrshëm sa ai i ilirëve jo-unitë [serbëve - shën. i T.]. Shumicën e ushqimit e përgatisin me djathë. Janë gjithashtu të dhënë pas pijes. Edhe gratë e tyre rrallëherë i rezistojnë një gote. U pëlqen ta ëmbëlsojnë pijen e tyre të preferuar, rakinë, me mjaltë.
Zanatet e tyre kryesore janë bujqësia dhe blegtoria, veçanërisht rritja e deleve. Ata sollën me vete, nga Shqipëria, një racë shumë të shëndetshme të kësaj kafshe me lesh të hollë. Në Sirmium këto kafshë njihen në mënyrë të përgjithshme si delet e Kelmendit. Gratë punojnë brenda në shtëpi, endin dhe thurin, dhe ato i bëjnë të gjitha rrobat e veta. Ato janë gjithashtu të afta në ngjyrosjen e leshit me lëngje bimësh të ndryshme, siç shihet në veshjet e tyre shumëngjyrëshe.
Veshjet e tyre janë mjaft të veçanta, veçanërisht ato të grave. Burrat mbulojnë kokat me kapele të vogla të kuqe, identike me ato që priftërinjtë e dioqezave vendosin mbi kokat e veta të rruara, përveç faktit që këto kanë një xhufkë të vogël sipër. Flokët i mbajnë të shkurta dhe rreth qafës mbështjellin një copë krepi të zezë. Mbi këmishë mbajnë një veshje pa mëngë që shkon deri në gjunjë dhe që zakonisht është me ngjyrë të kuqe. Ajo është e hapur në pjesën e sipërme të gjoksit, në mënyrë që të mund të vishet më lehtë nga koka. Mbi këtë veshje ata mbajnë edhe një xhaketë të shkurtë që shkon deri në ijë dhe që ka një fund të mbuluar me shumë kopsa të vogla dhe topa fijesh të ngjashme me dolmanet me gëzof të husarëve. Rreth mesit mbështjellin një brez të gjatë të cilin e lidhin disa herë rreth trupit, dhe rreth kyçeve të këmbëve mbështjellin materiale shumëngjyrëshe leshi, aq tërheqëse saqë lehtësisht mund të mendosh se janë çorape. Për këpucë mbathin një lloj të opingave me lidhëse (opánki), që janë të punuara mirë dhe lidhen me rripa të ngushtë.
Për armë përdorin të ashtuquajturin pushtovan që ka një plumb prej bronzi ose hekuri i cili futet dhe sigurohet brenda një tyte një këmbë e gjysmë të gjatë. E mbajnë atë në dorën e djathtë dhe janë shumë të zotët në përdorimin e saj. Në brez mbajnë një thikë turke dhe një pistoletë. Nga ijët e majta varet një shpatë hungareze, ndërsa mbi shpatulla mbajnë një pushkë me gur zjarri me të cilën zakonisht arrijnë të godasin objektiva deri në treqind këmbë larg. Ushtarët mes tyre shfaqen me këto armë dhe me veshjet e përmendura vetëm në festa, dasma, valle dhe ceremoni të tjera. Në kohë të zakonshme, ata veshin të njëjtat uniforma që mbajnë edhe ushtarët e tjerë të kufirit perandorak dhe mbretëror. Megjithatë, si me këto armë ashtu edhe me të tjera, kelmendasit janë ushtarë shumë trima dhe të patrembur, që nuk e njohin frikën. Ata i përkasin regjimentit të Petrovaradinit dhe përbëjnë një kompani këmbësorie dhe gjysmën e një kompanie të husarëve.
Veshjet e grave të këtij populli janë shumë interesante. Palloi - madje edhe vetë ylberi - nuk mund të jenë më shumëngjyrësh sesa një grua kelmendase kur vishet plotësisht. Mbulesa e kokës së vajzave të pamartuara (rub) përbëhet nga një shami mëndafshi me thekë të verdhë dhe të kuq që varen pas qafe. Flokët i ndajnë në mes, nga maja e kokës deri te qafa, dhe në secilën anë bëjnë nga tri gërsheta që u bien mbi supe. Në majë të kokës ndërthurin në copëza metalike me ngjyrë argjendi, lule dhe stoli të tjera zbukuruese. Gratë e martuara zakonisht mbajnë kapela burrash, të cilat dallojnë nga tonat vetëm për faktin se pjesa e përthyer pas është zbukuruar me shirita të bardhë. Gjerdanët (posh) përbëhen nga vargjet me korale dhe rruaza qelqi.
Në pjesën e përparme, nga qafa deri në bel, janë të mbuluara me monedha, të vendosura me një rend të kujdesshëm për të krijuar simetri. Xhaketat (ling) prej pëlhure të hollë të kuqe u shkojnë deri në ijë dhe mbyllen vetëm me një kopsë te kërthiza. Ato kanë thekë përreth, ndërsa mëngët arrijnë vetëm deri te bërrylat. Prej andej e deri në pëllëmbë, krahët - si edhe këmbët - janë të mbështjella me material leshi shumëngjyrësh. Thekët e xhaketave janë të zbukuruar me guaska të vogla që quhen molusqe, të cilat në Hungari përdoren për të stolisur pajisjet e kalërimit. Midis shpatullave dhe bërrylave mbajnë gjithfarë lloj guaskash, aq sa kur dy gra kelmendase ecin së bashku, dëgjohet një tingëllimë që i ngjan zhurmës së një saje me zile. Ndoshta e bëjnë këtë për të tërhequr vëmendjen e burrave.
Përveç kësaj, e gjithë xhaketa është e zbukuruar me rruaza të verdha, të kuqe dhe të gjelbra, si dhe me disa të bardha të vendosura këtu e atje në formë rrotash të vogla (rueta). Mëngët, në veçanti, janë të zbukuruara me këto rrota, me shirita argjendi (chirip) dhe thekë mëndafshi me ngjyra të ndryshme. Mbajnë dy breza: një më të gjerë (posztát) prej pëlhure të kuqe dhe një më të ngushtë prej lëkure (brenz) sipër, i cili është i qepur me shumë kopsa hekuri dhe nga i cili varet një zinxhir i hollë hekuri. Në vend të një fundi, përpara mbajnë një përparëse (pokoina) të përbërë nga rreshta të dendur qepjesh leshi të verdhë dhe të kuq, që shkojnë deri në pulpe. Në pjesën e pasme mbajnë një copë mëndafshi (funtling) që varet mbi vithe. Këmbët i mbështjellin njësoj si burrat dhe mbathin gjithashtu opingat (opánki). Këmishët e tyre (kemish) që shkojnë deri te pulpat janë shumë të ngushta, dhe poshtë tyre mbajnë një veshje të trashë prej leshi.
Vallet e tyre janë gjithashtu të veçanta. Fillimisht, burrat dhe gratë rreshtohen në dy rreshta përballë njëri-tjetrit. Çdo grua vendos krahun e majtë mbi shpatullën e djathtë të gruas pranë saj, dhe më pas fillojnë të kërcejnë, duke lëshuar zëra të lartë, të mprehtë dhe monotonë. Pas pak, dalin në skenë dy burra me shpata në duar dhe me dy pistoleta në brez. Ata kërcejnë në një mënyrë qesharake, për një kohë të gjatë, derisa njëra prej grave del përpara duke u shkëputur nga rreshti i saj. Në secilën dorë mban lart një shami mëndafshi. Ajo nuk lëviz nga vendi, por qëndron aty, përballë njërin prej burrave dhe pastaj tjetrit, duke bërë gjeste nga më të çuditshmet. Ata kërcejnë rreth saj si të ishin të çmendur, pa asnjë ritëm apo rregull. I gjithë ky vallëzim zhvillohet pa fyej, gajde apo ndonjë instrument tjetër muzikor - sepse ata nuk i përdorin ato. Shoqërimi i vetëm muzikor janë këngët e tyre për të bëmat e guximshme të heronjve të vjetër të kombit, në veçanti për të bëmat e princit Gjergj Kastrioti, i njohur me emrin Skënderbeu. Gjuha e tyre quhet shqipe dhe nuk ka lidhje me asnjë gjuhë tjetër orientale apo perëndimore. Ata përdorin shkronja latine, mbi të cilat shtojnë shumë thekse. Në veçanti, shkronja e tyre “z” nuk mund të shqiptohet në asnjë gjuhë evropiane. Ajo tingëllon pak si “z”-ja hungareze, por të huajt nuk kanë arritur kurrë ta shqiptojnë siç duhet.
Si shembuj, do të doja të shtoja këtu disa fjalë dhe shprehje kelmendase, si dhe Lutjen e Zotit, pasi i kam shkruar në ortografinë tonë dhe në mënyrën se si do t’i shqiptonim ne.
1. Numrat:
nya, një; due, dy: tre, tri; katter, katër; penss, pesë; yasht gjashtë; shtát shtatë; tet tetë; not nëntë; iviet dhjetë; nishet njëzetë; trioviet tridhjet.
2. Emrat e disa kombeve:
Madjar, hungarez; Nyemts, gjerman; Turk, turk; Shlavák, sllovak; Shkye, rashkjan [serb - shën. i T.]; Harvat, kroat; Bugarch, vllah; Madyub, rom; Harap, maur.
3. Emrat e disa kohëve:
dye, dje; sot, sot; neser, nesër; paradye, pardje; dinni, dimër; vera, verë; prodvera, pranverë; vieshta, vjeshtë; dita, ditë; promea, mbrëmje; natta, natë; evdiel, e diel; ehonni, e hënë; emart, e martë; emkur, e mërkurë; eenti, e enjte; epratti, e premte; eshtule, e shtunë.
4. Emrat e disa kafshëve:
tyen, qen; mats, mace; kál, kalë; ka, ka; lop, lopë; uyk, ujk; harush, ari; laff, luan; orlin, shqiponjë; korb, korb; pat, patë; dyet, gjel; peshch, peshk.
5. Emrat e pjesëve të trupit të njeriut:
kruet, kokë; sü, sy; vetula, vetull; pentesnait, zgavra e syrit; vesha, vesh; metie, dëgjim; hunde, hundë; miekra, mjekër; bulchi, faqe; bal, ballë; fatye, fytyrë; perche, flokë; buz, buzë; dyuna, gjuhë; chieltsa, qiellzë; tseap, dhëmbë; tyafa, qafë; kaptseri, fyt; krahi ose dora, krah; brüli, bërryl; loni, lana (nën bërryl); shpina dorz, shpina e dorës; shplak, shuplakë; gishtya, gisht; dyütüra, nyje gishti; fua, thua; parmzat, kraharor; brid, brinjë; plonsi, barku; zemra, zemër; bushkni, mëlçi; bushnki tebara, mushkëri; böza, të pasmet; kar, organi gjenital mashkullor; heret, testikuj; pis, vagina; lesht, qime pubike; koma, këmbë; kofsha, kofshë; dyuni, gju; gashtaydyunit, kupa e gjurit; gishta tekomz, gishta të këmbëve; gishtimat, gishti i madh; fempra, thembër.
6. Emrat e disa raporteve:
niri, njeri; trim, burrë; grue, grua; vaitsa, vajzë; at, baba; nonna, nënë; bla, vëlla; ibiri, bir; ebbia, bijë.
7. Disa emra të krishterë:
Iváni, Gjon; Prel ose Tyetri, Pjetër; Páli, Pal; Dre, (A)Ndre; Yakovi, Jakov; Lulashi, Lluka; Mara, Maria; Liza, Elizabeta; Dil, Tekla; Onyd, Ana.
8. Teologjia dhe shkollimi:
Lumizot, Zoti; parizi, parajsa; drety, dreqi, djalli; peshkvia, ferri; kisha, kisha; frat, prift; krüch, kryq; mordya, mort, vdekje; vore, varr; letter, libër; slob, shkronjë.
9. Disa ushqime dhe pije:
buk, bukë; mish, mish; tlüen, tëlyen; gyáz, djathë; mola, mollë; darda, dardhë; kumbula, kumbull; kirshia, qershi; ven, verë; piva, birrë; uy, ujë.
10. Shtëpia dhe pajisje shtëpiake:
shtpia, shtëpi; soba, dhomë; dera, derë; asztali, tavolinë; stoli, karrige; shtrati, shtrat; furumi, furrë; brishk, brisk; fik, thikë; filushke, pirun; lug, lugë; mashtek, tas; shabbe, shpatë.
11. Emra ngjyrash dhe mbiemrash të tjerë:
zi, zi; bar, bardhë; kuty, kuq; mur, kaltër; ver, gjelbër; kaltu, verdhë; sheshkim, kafe; ilgua, i sëmurë; shtosh, i shëndetshëm; zet, ngrohtë; ftoft, ftohtë; mir, mirë; irun, i keq; shum, shumë; pak, pak; shovt, tullac.
12. Emrat e disa profesioneve:
sholdat, ushtar; doctori, mjek; moleri, bojaxhi; zidari, murator; shushteri, këpucar; shnaideri, rrobaqepës; tishleri, mobilier; zimmermanni, marangoz; kovach, farkëtar; veknari, endës.
13. Fjalë të ndryshme:
chielt, qiell; dieli, diell; honna, hënë; ulini, yje; deti, det; ládya, anije; ushtri, luftë; pustohi, hajdut; ikmüe, budalla; kurva, lavire; mal, pyll; tedashdun, dashuri; irenim, zemërim; katundi, fshat; dyutedia, qytet; kral, mbret; kralitsa, mbretëreshë.
14. Disa shprehje:
Milne shtrasha, mirëmëngjesi; Mili proma, mirëmbrëma; Tmile nat, natën e mirë; Se key fiet? Si fjete?; Si ye aye shtosh? A je mirë me shëndet [a je shëndosh e mirë]?; Sie kien a yekyen shtosh? A ke qenë mirë me shëndet?; Kadar zotün! Lavdi Zotit!; Si ankyen zonya e zotnyiya, a yon kien shtosh?Shtosh kadar zotün! A ishin zonja apo zotëria mirë me shëndet? Mirë, lavdi Zotit [mirë ka dashtë Zoti]!; Mil zere, mirë se erdhe; Ura e par, udha e mbarë!; Kiof shtosh! Lamtumirë [qofsh shëndësh]; Zotün tavasht odene par! Zoti ta bëftë [japë] udhën të mbarë!; Un yes i pushtua, mbes shërbëtor; Ti tyen! O qen!; Ti imalkua! O i mallkuar!; Shpormu süsh tmat dretyi! Shporru prej syve të mi të marrtë dreqi!; Zamot yetyen ne Herdel? Sa kohë qëndrove në Transilvani?; Pakmot, pak kohë; Si tíon tü? Si quhesh [si të thonë]?; Apongdo moa? A më do?; Si song sae? Si quhet kjo?; Di mir Clementisht, di mirë kelmendishten; Ke dyun makaona, e dua këtë gjuhë; Fort makaona ket nirì, fort e dua këtë njeri.
15. Disa modele zgjedhimesh:
Un edoa, unë dua; tin do, ti do; ave do, ai do; na duam, ne duam; yu doni, ju doni; atta duen, ata duan. Shembull tjetër: Un poha, unë po ha; ti poha, ti po ha; au poha, ai po ha; na poham, ne po hamë; yu pohanni, ju po hani; atta pohan, ata po hanë; unkomgran, unë kam ngrënë; ti kegran, ti ke ngrënë; au kagron, ai ka ngrënë; na kengron, ne kemi ngrënë; yu kenigron, ju keni ngrënë; atta kangron, ata kanë ngrënë. Un duame gran, unë do të ha; ti domegran, ti do të hash; au domegran, ai do të hajë; na doemegran, ne do të hamë; yu donimegran, ju do të hani; atta duonmegran, ata do të hanë. Shembull tjetër: Un popi, unë po pi; ti popi, ti po pi; au popi, ai po pi; na popim, ne po pimë; yu popinni, ju po pini; atta popi, ata po pinë; Un konpi, unë kam pirë; ti kepin, ti ke pirë; au kapi, ai ka pirë; na kempi, ne kemi pirë; yu kennipi, ju keni pirë; atta kanpi, ata kanë pirë; Un duamepi, unë do të pi; ti domepi, ti do të pish; au domepi, ai do të pijë; na doamepi, ne do të pimë; yu donimepi, ju do të pini; atta duonmepi, ata do të pinë.
16. Lutja e Zotit
At ün chi ie mb chielt, Ati ynë, që je në qiell,
shentenün kiofte enneni tat, u shenjtëroftë emri yt,
art regenia yóte, ardhtë Mbretëria jote,
ubafte volundeshia yote, u bëftë vullnesa jote,
sikuur mb chielt, mb zee, si në qiell - ashtu në tokë!
buken tank teper ditsimem eppna shode, Bukën tonë të përditshme na e jep sot,
e enneana ndiei faitoresi tan, na i fal fajet tona, si i falim ne fajtorët tanë.
e mos ne le meram mb ato kech, E mos na lër të biem në tundim,
pro na largó se shketye, por na liro nga i keqi,
Asto kiofte, Amen, or ashtu qoftë!
/Telegrafi/
_____________


