Kate Hudson dhe Matthew McConaughey mund të rikthehen në “How to Lose a Guy in 10 Days”
Pas më shumë se dy dekadash, një nga komeditë romantike më të dashura të viteve 2000 mund të rikthehet në ekranin e madh.
Paramount është duke zhvilluar vazhdimin e filmit “How to Lose a Guy in 10 Days”, ndërsa Kate Hudson është angazhuar si producente e projektit.
Sipas raportimeve të industrisë, projekti ndodhet ende në fazat e hershme të zhvillimit dhe skenaristi i filmit nuk është përcaktuar.
Për këtë arsye, as historia dhe as kasti përfundimtar nuk janë vendosur ende.
Megjithatë, Paramount dhe producentët synojnë të rikthejnë Kate Hudson dhe Matthew McConaughey në rolet e tyre ikonike, Andie Anderson dhe Benjamin Barry.
Rikthimi i tyre nuk është konfirmuar zyrtarisht dhe do të varet nga skenari dhe marrëveshjet me aktorët.
Hudson do ta bashkëprodhojë filmin me producenten Stacey Sher përmes kompanisë Shiny Penny.
Ndërkohë, detajet e projektit mbeten ende të panjohura.
Filmi origjinal, i publikuar në vitin 2003, tregonte historinë e gazetares Andie Anderson, e cila përpiqet të largojë një mashkull nga vetja për nevojat e një artikulli, gjersa Benjamin Barry vendos bast se mund ta bëjë atë të dashurohet me të brenda dhjetë ditësh.
Me Kate Hudson dhe Matthew McConaughey në qendër, filmi u shndërrua në një sukses të madh komercial, duke arkëtuar rreth 177 milionë dollarë në mbarë botën, kundrejt një buxheti prej 50 milionë dollarësh. /Telegrafi/


