Please enter at least 3 characters.

Karamuço: Arma e vrasjes së dyfishtë në Shkodër, Uzi GAL izraelite – përdorej nga shërbimet sekrete amerikane

Profesori i kriminalistikës, Ervin Karamuço, ka zbuluar detaje tronditëse mbi armën e përdorur nga Ragip Gilaj në masakrën e Shkodrës, ku mbetën të vrarë dy persona dhe u plagosën dy të tjerë.

Në një intervistë për emisionin Now në Euronews Albania, Karamuço tha se bëhet fjalë për një armë të prodhimit izraelit, model Uzi GAL, e cila ka shpejtësi shumë të lartë zjarri dhe përdoret zakonisht nga profesionistë.

“Një armë e tillë, që hedh 900 plumba në minutë, është përdorur në vitet ’80 nga shërbimet sekrete amerikane për ruajtjen e personaliteteve. Ka mbërritur edhe në Shqipëri dhe i përket kategorisë së armëve që përdoren nga vrasës profesionistë në rajon – në Serbi, Mal të Zi dhe Bosnjë. Ky është rasti i parë që shfaqet në vendin tonë”, deklaroi ai.

Sipas Karamuços, arma ka kalibër të vogël, nuk ka nevojë për silenciator dhe prodhon një zhurmë të mbytur, duke e bërë atë ideale për atentate. “Është fatale në distanca të afërta dhe është përzgjedhur për të mbyllur punën sa më shpejt”, theksoi profesori.

Ai shtoi se fakti që një armë e tillë gjendet në duart e grupeve kriminale në Shqipëri është tregues i fuqizimit të tyre financiar dhe i lidhjeve me tregun e armëve për vrasje me pagesë. “Mendoj se kjo është një vrasje me pagesë”, përfundoi Karamuço.