Please enter at least 3 characters.

Ka vetëm tetë vite shkollë, por në llogaritje ua kalon edhe ekspertëve

2016/04/kp-635x358.jpg

Ka vetëm tetë vite shkollë të përfunduara, por ai ngjashëm me një kalkulator arrin që me shpejtësi kompjuterike të kryej përllogaritje matematikore, mbledhje, zbritje, shumëzim, pjesëtim, madje edhe me numra shumëshifror. Është ky Fehmi Dërmoku, 32 vjeçar, i cili për llogaritje ua kalon edhe ekspertëve. E, numri i atyre që interesohen për këtë aftësi të tij, është i madh, meqë ai çdo ditë pune përballet me qytetarë, të cilët e ndalin në rrugë për ta pyetur sa bëjnë kaq e kaq.

Ishte vetëm 7 vjeç kur ai filloi të mahnisë të gjithë me këtë aftësi të llogaritjeve matematikore. E kjo aftësi e tij i kishte habitur familjarët e të afërmit, të cilët i kishin dëgjuar përgjigjet e sakta, pavarësisht moshës së re që kishte Fehmiu, i cili akoma nuk ishte i regjistruar në shkollë. Gradualisht të gjithë kishin mësuar për këtë aftësi të tij, të cilëve ai u kthen përgjigje, pavarësisht ku e pyesin ata, në rrugë apo nëpër lokalet e Podujevës, ku ai shet cigare, tash e shtatë vite.

Çdo ditë ai përballet me pyetjen se si ia del që për një kohë kaq të shkurtër të shumëzoj numra me aq shumë shifra. Ai thotë se ndihet në siklet, sepse as vet nuk ka përgjigje për një pyetje të tillë.

“Prej që e mbaj mend kështu di të shumëzoj, prej vegjëlisë …veç më pyetshin krejt, me nxënës, profesorë. Njëherë profesorët më kanë dërguar në zyre më pyetshin qashtu… kështu shkolla e tjerat nuk më kanë shkuar aq mirë, veç qeto me numra, edhe këto pjesëtim, shumëzim, jo më shumë, detyra apo gjëra të ndryshme jo…nuk e di as vet, veç e di që prej se jam kanë i vogël, a kështu saktë nuk e di… Shumë më pyesin kalimtarë e kështu nëpër kafe, shumë më pyesin”, rrëfen Fehmiu, të cilin vazhdimisht e përshëndetin kalimtarët.

Ai për KosovaPress tregon se si gjatë viteve i ishte rritur edhe aftësia për të kryer llogaritje të tilla me numra më të mëdhenj. Sipas tij, kur kishte filluar, numrat me të cilët bënte llogaritje nuk ishin të gjatë, por kjo aftësi e tij ishte përvetësuar pasi kishte filluar të shkonte në shkollë. Tanimë asgjë nuk paraqet problem për atë, madje as numrat e shumtë me presje gjatë pjesëtimit.

“Shkolla nuk më ka shkuar fort aq mirë, veç 8 vjeçare e kom, prej vitit të kaluar jam duke e përfunduar jo formal në Ekonomik. Një profesor u kanë i kompjuterëve, ai më ka dërguar mas pari me një profesor tjetër. Qashtu veç gati e kom me krye qetash kah maji…tu u rrit, mu ka zhvillu aftësia me dit numra më të mëdhenj, secilën herë më shumë”, thotë ai për KosovaPress.

Pa hezitim ai është përgjigjur edhe në pyetjet e KosovaPress. Përgjigjet e tij ishin të menjëhershme dhe të sakta.

“100 persona, 500 euro bileta, 60 veta kah 1 euro, 5 vetë kah 10 euro edhe një 50, shuma përfundimtare del 500… 870 euro me i nda 25 persona i bie kah 34 euro e 80 cent…p.sh 380 euro me i nda 8 anëtarë i bien kah 47 euro e gjysmë”, përg jigjet 33 vjeçari nga fshati Letanc.

Ai shet cigare nëpër rrugët dhe lokalet e Podujevës. Në çmimet e cigareve, ai as nuk hamendet, jo vetëm që merret me këtë punë qe shtatë vite, por falë aftësisë të tij për të llogaritur numrat menjëherë.

Ai tregon se 12 boksa me cigare Lucky Strike kushtojnë 201 euro e 60 cent, ndërsa 10 paketa cigare të këtij lloji kushtojnë 16 euro e 80 cent.

“32 paketa Malboro kushtojnë 83 euro e 20 cent që i shes unë”, llogarit Dërmoku.

Ai jeton në fshatin Letanc të Podujevës, me nënën, gruan dhe dy fëmijët e tij. Ai thotë se ka një jetë të mirë, por pavarësisht kësaj, ndihma për të do të ishte e mirëseardhur. I pyetur nga KosovaPress për interesimin e institucioneve për këtë aftësi, ai thotë se pavarësisht njohurive, askush nuk është interesuar të ndërmarrë hapa për të zhvilluar edhe më tej këtë aftësi.

Dërmoku për KosovaPress flet edhe për premtimet që ai ka marrë për dërgim jashtë shtetit, por të cilat nuk janë realizuar asnjëherë. E, edhe sot ai vazhdon të mbetet një shitës cigaresh.

“Tre njerëz më kanë dhanë fjalë që kanë me më qit edhe jashtë vendi, por nuk kanë bërë asgjë….Një i Podujevës më ka dhënë fjalë që kur të dalin qeto vizat, do të ndihmoj diçka. Një çikë qashtu me pat ndal me një kafe vitin e kaluar, me ka thirr…Më ka thanë në Zvicër jetoj me familje…I tregova rend qashtu qysh më kanë dhanë fjalë plotë, a më ka thënë që te unë i ki të sigurta, po nuk më ka thirr kurrgjë. Për shkollë këtu i kam treguar”, tregon ai.

Ai thotë se ka raste kur edhe nuk i di detyra t, sepse nuk ka qenë aq mirë as në matematikë. Por, ai shprehet se shpeshherë u ka ndihmuar të tjerëve duke u shërbyer si kalkulator. Pyetjet tashmë janë shndërruar në përditshmëri për të. Edhe kureshtja për ta njohur ka qenë shumë e madhe, si në shkollë, në fshat e qe shtatë vite edhe në qytetin e Podujevës.

“Çdo ditë shkoj për kafe kështu, më vesin, dikush shumë çuditet, me detyra të ndryshme, dikush me qet edhe numra të tjerë, prova të ndryshme, por nuk i di fort… mu çudit, çuditen, qysh po din aq shpejtë, qysh po i mbledh, çudit krejt në përgjithësi…më ndalin shumë, ka edhe që nuk i njoh, më flasin, më përshëndetin”, thotë ai kur flet për çudinë që shprehin njerëzit.

Këtë aftësi të tij, familjarët i kanë thënë se e ka pasur edhe babai i tij, të cili n ai thotë se nuk e mban mend. Por, sipas tij, edhe familjarët ishin çuditur kur në vitin 1990 ai kishte shfaqur për herë të parë këtë aftësi, që e kishte trashëguar prej babait të tij.