Please enter at least 3 characters.

Jordan Henderson arrin marrëveshje për t’u rikthyer sërish në Ligën Premier

Mesfushori i Anglisë, Jordan Henderson, pritet të nënshkruajë me Brentford pas largimit nga Ajaxi më herët këtë javë. 

35-vjeçari do t’i bashkohet skuadrës londineze me një kontratë dyvjeçare, pasi klubi holandez pranoi ta ndërpresë kontratën e tij një vit para përfundimit.

Henderson kishte tërhequr interes nga disa klube të njohura në Angli dhe Evropë, por Brentford ka fituar garën për të siguruar shërbimet e ish-kapitenit të Liverpoolit.

Rikthimi në elitnë e futbollit anglez do t’i japë Hendersonit një platformë ideale për të ruajtur vendin në skuadrën e Anglisë të drejtuar nga Thomas Tuchel, në prag të Kupës së Botës të vitit të ardhshëm.

Mesfushori me 84 paraqitje me fanellën e ‘Tre Luanëve’ do të zëvendësojë kapitenin e mëparshëm të Brentford, Christian Norgaard, i cili është transferuar te Arsenal.

Finalizimi i marrëveshjes pritet të konfirmohet gjatë ditëve në vijim.

Kjo lëvizje do ta rikthejë Hendersonin në Ligën Premier, pasi ai u largua nga Liverpool në vitin 2023 për t’u bashkuar me Al-Ettifaq në Arabinë Saudite.

Megjithatë, qëndrimi i tij atje zgjati më pak se gjashtë muaj, para se të transferohej te Ajax në janar 2024.

Ai zhvilloi mbi 50 ndeshje me klubin holandez, por u largua pas një sezoni ku Ajax e humbi titullin në ditën e fundit, me PSV Eindhoven që u shpall kampion./Telegrafi/