Please enter at least 3 characters.

John Heitinga rikthehet te Ajax, firmos kontratë dyvjeçare për të ringjallur gjigantin holandez

Ish-mbrojtësi i Holandës, John Heitinga, është emëruar trajneri i ri i Ajax-it, njoftoi të shtunën klubi holandez.

41-vjeçari Heitinga kthehet te klubi ku nisi karrierën si futbollist, duke zëvendësuar Francesco Farioli, i cili dha dorëheqjen javën e kaluar pas një kolapsi të Ajaxit në garën për titull.

Ai ka firmosur një kontratë dyvjeçare dhe do të ketë ndihmës Marcel Kaizer, i cili ka pasur një periudhë të shkurtër si trajner i Ajaxit në vitin 2017.

Sezonin e kaluar, Heitinga punoi nën drejtimin e Arne Slot te kampionët e Ligës Premier, Liverpool. Më parë, ka qenë edhe pjesë e stafit të trajnerit David Moyes te West Ham.

“Jam jashtëzakonisht i emocionuar që po nis këtë aventurë. Vitet e fundit në Angli më kanë ndihmuar shumë”.

“Kam pasur mundësinë të mësoj nga David Moyes dhe Arne Slot, ndërkohë që pashë nga afër sesi funksionojnë dy klube të mëdha. Tani jam gati të vazhdoj si trajner kryesor dhe ndihem i nderuar që e marr këtë mundësi te Ajaxi”, deklaroi ai.

Ish-qendërmbrojtësi i Atletico Madrid, Everton dhe Fulham, Heitinga u tërhoq nga futbolli në vitin 2016 pas një periudhe të shkurtër rikthimi me Ajaxin, klubin e tij të fëmijërisë. Ai ka luajtur 87 herë me Holandën. /Telegrafi/