Please enter at least 3 characters.

Jo vetëm komentatori kroat, por edhe ai holandez dhe turk u tallën me rastin Balogun pas eliminimit të SHBA-së

Aventura e Kombëtares së SHBA-së në Kupën e Botës 2026 përfundoi me një zhgënjim të madh, pas humbjes së thellë 1-4 ndaj Belgjikës në fazën e 1/16-tës së finales.

Megjithatë, përveç rezultatit në fushë, eliminimi i amerikanëve u shoqërua edhe me polemika të mëdha jashtë saj, veçanërisht rreth sulmuesit Folarin Balogun.

Pezullimi i tij për ndeshjen ndaj Belgjikës u anulua më herët, pasi u raportua se presidenti amerikan Donald Trump kishte zhvilluar një bisedë telefonike me kreun e FIFA-s, Gianni Infantino, duke argumentuar se dënimi ishte i padrejtë dhe se lojtari ishte i nevojshëm për fazën me eliminim direkt.

Vendimi shkaktoi reagime të shumta, me kritikë që pretenduan se një ndërhyrje politike mund të krijojë një precedent të rrezikshëm në vendimet disiplinore të futbollit.

Pas eliminimit të SHBA-së, disa komentatorë nga vende të ndryshme nuk i kursyen ironitë ndaj kësaj situate.

Komentatori turk:

“Nëse nuk ka ndonjë ndryshim rregullash në minutën e fundit, SHBA-ja tashmë i ka dhënë lamtumirën Kupës së Botës”.

Komentatori holandez:

“Sot nuk do të jetë Amerika që fiton. Vetëm një mrekulli mund t’i shpëtonte, dikush me një shkop magjik… ose ndoshta dikush nga Shtëpia e Bardhë. Ky duket opsioni më i mundshëm”.

Komentet ironike u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale, ndërsa tifozë nga e gjithë bota iu bashkuan humorit pas eliminimit të SHBA-së nga turneu. /Telegrafi/