Please enter at least 3 characters.

Javier Tebas sulmon ashpër Real Madridin pas anulimit të ndeshjes Villarreal-Barcelona në Miami

Javier Tebas ka kritikuar ashpër vendimin për të anuluar planet për të organizuar ndeshjen mes Villarreal dhe Barcelonës në Miami, duke e quajtur atë “të ngushtë në mendësi” dhe duke akuzuar organet qeverisëse dhe Real Madridin për sabotimin e ambicieve globale të La Ligës.

Presidenti i ligës insiston se futbolli spanjoll ka humbur një mundësi historike, ndërsa reagimet ndaj ndeshjes së propozuar vazhdojnë të shkaktojnë përçarje opinionesh.

Presidenti i La Ligës, Tebas, reagoi fuqishëm në X, duke e quajtur vendimin “një disfatë për të ardhmen e futbollit spanjoll” dhe duke akuzuar institucione dhe klube të paemëruara, të interpretuara gjerësisht si UEFA dhe Real Madridi, për pengimin e përparimit.

“Sot, futbolli spanjoll ka humbur një mundësi për të avancuar, për t’u projektuar globalisht dhe për të forcuar të ardhmen e tij”.

“Mbrojtja e ‘traditës’ përdoret nga një perspektivë e ngushtë dhe provinciale, ndërsa traditat e vërteta të futbollit evropian janë të kërcënuara nga vendimet e institucioneve qeverisëse, të cilat vit pas viti shkatërrojnë ligat kombëtare, forcën e vërtetë lëvizëse të industrisë së futbollit evropian, në mes të naivitetit dhe pasivitetit të liderëve evropianë që nuk arrijnë të dallojnë të parëndësishmen nga e domosdoshmja”.

“‘Integriteti i kompeticionit’ përdoret si justifikim nga ata që prej vitesh e kanë vënë në dyshim të njëjtin integritet, duke ushtruar presion ndaj gjyqtarëve dhe drejtuesve, duke krijuar narrativë të shtrembëruara, apo duke përdorur presion politik dhe mediatik si mjet sportiv”.

Jaiver Tebas

“Dua të falënderoj Villarrealin dhe Barcelonën për angazhimin dhe bujarinë e tyre në pjesëmarrjen në një projekt që kërkonte vetëm rritjen e kompeticionit tonë. Ata nuk mendonin për veten, por për të gjithë”.

“La Liga do të vazhdojë të punojë me rigorozitet dhe bindje për ta mbajtur futbollin spanjoll konkurrues, duke u përballur me ata që kërkojnë ta shkatërrojnë, por gjithmonë duke respektuar rrënjët e tij dhe duke siguruar qëndrueshmërinë e tij”.

“Futbolli spanjoll meriton të shikojë drejt së ardhmes me ambicie, jo me frikë. Ne do të vazhdojmë përpjekjet. Këtë herë, u afruam shumë”, ka thënë Tebas./Telegrafi/