Please enter at least 3 characters.

“Jam i bindur”, Mbappe bën premtimin e madh për tifozët e Real Madridit

Ylli francez i Real Madridit, Kylian Mbappe, i ka ngritur pritshmëritë para fillimit të sezonit të ri, duke bërë të qartë se objektivi i “Los Blancos” është rikthimi te trofetë.

Në një intervistë për kanalin zyrtar të Real Madridit, Mbappé foli për përgatitjet para sezonit, ambiciet me skuadrën dhe marrëdhënien me trajnerin Jose Mourinho, duke theksuar se madrilenët duhet të bëjnë “një hap përpara” për të nisur sërish grumbullimin e trofeve.

Real Madridi e mbylli sezonin 2025/26 pa trofe, ndërsa Mbappé nuk arriti ta udhëhiqte as Francën drejt triumfit në Kupën e Botës këtë verë. Për këtë arsye, francezi synon që në sezonin e ri të rikthejë klubin madrilen te suksesi.

“Jam shumë i lumtur që jam rikthyer dhe që po marr përshtypjet e para me ekipin, stafin e ri të trajnerëve, bashkëlojtarët dhe të gjithë ata që punojnë në Valdebebas. Është gjithmonë bukur të rikthehesh këtu dhe të përgatitesh për sezonin”, deklaroi Mbappe.

Ai foli me shumë vlerësim edhe për Mourinhon, duke konfirmuar se të dy kanë qenë në kontakt prej një kohe të gjatë.

“Kemi folur shumë gjatë Kupës së Botës, por edhe gjatë ditëve të fundit këtu. Është shumë pozitive të kesh një trajner me kaq shumë përvojë, që di të fitojë dhe e di rrugën që duhet të ndjekim për të arritur fitoret”, tha francezi.

“Besoj se duhet të fitojmë dhe jam i sigurt se këtë vit do të rikthehemi te fitimi i titujve. Jam i bindur për këtë”, u shpreh ai.

“Kjo është ajo që duam dhe do të ndodhë, sepse e ndiej se skuadra e ka dëshirën. Do të qëndrojmë të fokusuar gjatë gjithë vitit për t’i bërë tifozët e Real Madridit të lumtur, pasi nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa të fitosh tituj me këtë ekip dhe të ndjesh gëzimin e tifozëve”, përfundoi Mbappe./Telegrafi/