Please enter at least 3 characters.

Ja si ‘penalizohen’ futbollistët kosovarë

2016/01/ja-si-lsquo-penalizohen-rsquo-futbollist-euml-t-kosovar-euml_hd.jpg

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) në të kaluarën ka licencuar futbollistët vetëm për gjashtë muaj dhe ata kanë mundur të lëvizin pas çdo stinori. Mirëpo, prej verës së këtij viti, lojtarët janë licencuar për një vit që do të thotë se ata kanë obligim njëvjeçar ndaj klubit edhe nëse nuk kanë kontratë të nënshkruar. Kësisoj, pa leje të klubit paraprak, ata nuk mund të ndërrojnë ambient në dimër. Një gjë të tillë e ka konfirmuar për SportPlus edhe zyrtari i FFK-së për regjistrim të lojtarëve, Adem Qollakaj.

“Një vit ka dy afate kalimtare, atë të verës dhe të dimrit. Në afatin kalimtar të verës është i lirë secili futbollist që të ndërrojë ambient nëse nuk ka kontratë. Ndërkohë, në afatin e dimrit, i cili ndryshe quhet edhe si afat i marrëveshjes, lojtari nuk mund të ndërrojë skuadër pa pëlqimin e klubit në të cilin ka luajtur edhe nëse nuk ka kontratë”, është shprehur Qollakaj për gazetën.

Reagojnë futbollistët

Një situatë e tillë, e panjohur për futbollistët deri tash, ka ngjallur reagime. I pari që ka reaguar është Taulant Dajaku. Futbollisti që nuk gjeti gjuhë të përbashkët me Drenicën për të vazhduar bashkëpunimin, nuk ka problem për ta marrë fletëlëshimin, por rregullin e vlerëson si të gabuar për nivelin e futbollit në vend.

“Mendoj se në këtë rast vendoset vetëm për të drejtat e klubeve që i kanë mbi lojtarët. Ndërsa, nuk ka asnjë rregullore që i obligon klubet t’i kryejnë obligimet ndaj futbollistëve”, deklaroi Dajaku, i cili është në bisedime me disa klube në vend. Sipas tij, ky është një disbalanc i padrejtë.

Ka reaguar edhe Faruk Statovci, i cili nuk ka marrë rrogë që dhjetë muaj nga Llamkos Kosova. “Me çfarë logjike mundet të më ndal mua Llamkos Kosova. Nëse Federata veç e diskuton këtë punë, është krejtësisht e palogjikshme, pasi në Kosovë nuk mund të funksionojë kjo. Me një fjalë, është turp”, pohoi Statovci.

FFK nuk ka një rregullore që detyron klubet t’i paguajnë obligimet ndaj lojtarëve, por në rast se futbollistët kanë kontrata të vërtetuara në FFK dhe klubi i caktuar nuk i përmbahet asaj, atëherë shtëpia e futbollit në vend mund të ndërmjetësojë në të mirë të lojtarit. /Telegrafi/