Ish-futbollisti i Prishtinës po shkëlqen në Emiratet e Bashkuara Arabe - e shpall ekipin kampion me golat dhe asistimet e tij
Futbolli në Emiratet e Bashkuara Arabe po rezulton më i vështirë sesa mendohet shpesh. Këtë sezon atje luajtën për pak kohë edhe Rey Manaj dhe Feta Fetai, por pa arritur të lënë gjurmë të mëdha.
Ndërkohë, një tjetër futbollist shqiptar ka arritur të spikasë dhe të bëhet protagonist. Bëhet fjalë për Shefit Shefitin, sulmuesin 28-vjeçar nga Maqedonia e Veriut, i cili vite më parë ka qenë pjesë edhe e Shqipërisë U21.
Shefiti e mbylli pjesën e parë të sezonit në kampionatin maqedonas në formë të shkëlqyer, ku me KF Arsimin, me 11 gola në 12 ndeshje, duke qenë edhe ndër realizatorët më të spikatur të ligës.
Kjo formë i hapi rrugë një transferimi në janar, kur ai pranoi ofertën e klubit Hatta nga Dubai, që në atë kohë ishte i pesti në Divizionin e dytë dhe synonte ngjitjen në elitë.
Pasi iu bashkua Hattas, Shefiti vazhdoi me ritëm të lartë. Në 14 ndeshje shënoi 10 gola dhe dhuroi 5 asistime, ndërsa skuadra u rrit ndjeshëm dhe arriti të shpallej kampione, duke e kaluar në javën e fundit edhe United FC, klub që drejtohet nga Andrea Pirlo.
Shefit Shefiti ka qenë më herët edhe pjesë e Prishtinës, ku nuk arriti ta tregojë plotësisht vlerën e tij në futbollin kosovar, por në Emirate duket se ka gjetur ambientin e duhur për të shkëlqyer.
Vlen të theksohet se në Ligën e dytë të Emirateve luajnë edhe emra të njohur të futbollit ndërkombëtar, si Haris Seferovic, Mario Balotelli dhe të tjerë, çka e bën këtë kampionat edhe më konkurrues.


