Please enter at least 3 characters.

Ish-bashkëshortja e Eminem shpallet në kërkim, mungon në seancën gjyqësore

Kim Scott, ish-bashkëshortja e reperit Eminem, është shpallur në kërkim nga autoritetet amerikane pasi nuk u paraqit në një seancë gjyqësore lidhur me akuzat për drejtim automjeti nën ndikimin e alkoolit dhe drogës.

Sipas medieve amerikane, 51-vjeçarja duhej të paraqitej në Gjykatën e Qarkut Macomb në Michigan, por mungesa e saj bëri që gjykata të lëshonte një urdhër arresti.

Raportohet se për Scott ishte caktuar një garanci prej 10 mijë dollarësh (gati 9 mijë euro), ndërsa prokurorët kërkuan menjëherë lëshimin e urdhër-arrestit dhe konfiskimin e garancisë pasi ajo nuk u paraqit në seancë, shkruan DailyMail.

Deri më tani, autoritetet kanë bërë të ditur se ajo ende nuk është arrestuar.

Çështja lidhet me një incident të ndodhur më 14 maj, kur Kim Scott u ndalua nga policia pas një aksidenti automobilistik në Michigan.

Sipas hetimeve, ajo dyshohet se drejtonte mjetin nën ndikimin e alkoolit dhe drogës. Më herët, ajo ishte përballur edhe me akuza të tjera pas një përplasjeje me një automjet të parkuar, ku sipas policisë kamioni u zhvendos disa metra nga forca e goditjes.

Kim Scott dhe Eminem, emri i vërtetë i të cilit është Marshall Mathers III, kanë pasur një marrëdhënie të trazuar ndër vite.

Ata u martuan për herë të parë në vitin 1999 dhe u divorcuan në vitin 2001, ndërsa u ribashkuan dhe u martuan sërish në vitin 2006, për t'u ndarë përfundimisht vetëm pak muaj më vonë.

Së bashku janë prindër të Hailie Jade, ndërsa reperi ka adoptuar edhe dy fëmijë të tjerë nga familja e ish-bashkëshortes së tij. /Telegrafi/