Please enter at least 3 characters.

Investim prej 4.17 milionë eurosh ne segmentin Kërpime–Bajgorë në Mitrovicë

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha ka vizituar punimet në segmentin Kërpime–Bajgorë të Mitrovicë të rrugës rajonale, ku është bërë e ditur se projekti po i afrohet përfundimit.

Sipas ministrisë, segmenti me gjatësi 6.67 kilometra është realizuar me një investim prej 4.17 milionë eurosh dhe pritet të përmirësojë ndjeshëm lidhjen rrugore ndërmjet Mitrovicës dhe Podujevës, duke mundësuar qarkullim më të shpejtë, më të sigurt dhe më efikas për qytetarët dhe bizneset.

Ministria thekson se kjo rrugë për shumë vite ishte në gjendje të rënduar, me dëmtime të shumta që vështirësonin qarkullimin. Me investimin e realizuar, segmenti është rehabilituar sipas standardeve moderne, duke përfshirë mure mbrojtëse, sinjalizim horizontal dhe vertikal, si dhe elemente të tjera që rrisin sigurinë rrugore.

Sipas njoftimit, përfundimi i projektit do të shkurtojë kohën e udhëtimit, do të përmirësojë ndërlidhjen mes Mitrovicës dhe Podujevës, si dhe do të krijojë kushte më të favorshme për zhvillimin ekonomik, turizmin dhe qarkullimin e mallrave.

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin për sigurimin e financimit të fazave të ardhshme të projektit, të cilat përfshijnë rehabilitimin e tuneleve dhe përfundimin e segmentit të mbetur në hyrje të Mitrovicës, me synim kompletimin e të gjithë aksit rrugor sipas standardeve bashkëkohore. /Telegrafi/