Please enter at least 3 characters.

Inspektorati i Punës: 38 inspektime në 48 orë, 16 ndalime punimesh

Inspektorati Qendror i Punës ka publikuar raportin 48-orësh të inspektimeve të realizuara në kuadër të një aksioni të gjerë në sektorët me rrezikshmëri të lartë në të gjithë territorin e Kosovës.

Sipas njoftimit, aksioni është zhvilluar në bazë të vendimit të Ministrit të MPFVLÇ-së dhe në përputhje me mandatin ligjor të institucionit, me qëllim të rritjes së sigurisë dhe respektimit të legjislacionit të punës.

“Inspektorati Qendror i Punës, në zbatim të vendimit të Ministrit të MPFVLÇ-së dhe në përputhje me mandatin e tij ligjor, ka ndërmarrë aksion të jashtëzakonshëm inspektues në sektorët me rrezikshmëri të lartë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Në raportin e publikuar për 48 orët e fundit, janë realizuar gjithsej 38 inspektime në disa komuna të vendit, përfshirë Podujevën, Drenasin dhe Gjakovën.

Nga këto inspektime, janë ndërmarrë 16 ndalime punimesh, 11 vërejtje, si dhe 10 raste pa vërejtje, ndërsa nuk është raportuar për leje punimesh në këtë periudhë.

Në nivel komunal, në Podujevë janë realizuar 11 inspektime, në Drenas po ashtu 11, ndërsa në Gjakovë 16 inspektime.

Sipas të dhënave, janë evidentuar shkelje të ndryshme në disa raste, për të cilat inspektorët kanë marrë masa në përputhje me ligjin.

Inspektorati ka bërë të ditur se aksionet e tilla do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me synim rritjen e sigurisë në vendet e punës dhe respektimin e standardeve ligjore në sektorët e rrezikshëm. /Telegrafi/