IKShPK apelon për kujdes nga temperaturat e larta: Mos i lini fëmijët vetëm në veturë, kontrolloni të moshuarit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKShPK) ka bërë thirrje për kujdes të shtuar gjatë ditëve me temperatura të larta, duke u kërkuar qytetarëve të mbrojnë grupet më të ndjeshme dhe të njohin shenjat paralajmëruese të rrezikut nga vapa.
Përmes një njoftimi, IKShPK ka apeluar që qytetarët të tregojnë kujdes të veçantë ndaj të moshuarve, sidomos atyre që jetojnë vetëm ose kalojnë pjesën më të madhe të kohës të izoluar.
Instituti rekomandon që ata të kontaktohen të paktën një herë në ditë, për t’u siguruar se janë mirë dhe nuk kanë nevojë për ndihmë.
Një tjetër apel i rëndësishëm ka të bëjë me sigurinë e fëmijëve. IKShPK rikujton se ata nuk duhet të lihen asnjëherë vetëm në një veturë të parkuar, pasi temperaturat brenda automjetit mund të rriten shumë shpejt dhe të paraqesin rrezik serioz për jetën.
Instituti u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë të vëmendshëm edhe ndaj simptomave të goditjes nga nxehtësia.
“Nëse një person përjeton marramendje, të përziera, konfuzion ose djersitje të tepërt, duhet të kërkojë menjëherë ndihmë mjekësore”, thuhet në njoftimin e IKShPK-së.
Autoritetet shëndetësore u rekomandojnë qytetarëve të shmangin ekspozimin e panevojshëm në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të kujdesen veçanërisht për fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.


