Please enter at least 3 characters.

IKD: Veprimet e Agron Qalajt po bllokojnë zbatimin e reformës në KPK

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me siç thonë veprimet e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, të cilat po pengojnë drejtpërdrejt zbatimin e reformës në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).

IKD thekson se më 1 janar 2026 ishte paraparë që të fillojë reforma e shumëpritur në sistemin prokurorial të Kosovës.

“Me hyrjen në fuqi të Ligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për KPK, Këshilli Prokurorial i Kosovës nga fillimi i këtij viti do të ketë përbërje prej shtatë anëtarësh, nga 13 sa i kishte me legjislacionin e vjetër. Gjatë vitit të kaluar, prokurorët e prokurorive themelore, në një proces të bazuar në meritokraci, zgjodhën znj. Elsa Bajramin si përfaqësuese të tyre në Këshillin Prokurorial të Kosovës, mandati i së cilës do të duhej të fillonte më 1 janar të këtij viti.

Përderisa pritjet legjitime të publikut janë se KPK do të ndërmarrë veprime konkrete në jetëzimin e reformës në sistemin prokurorial të Kosovës dhe në ruajtjen e parimeve të sundimit të ligjit dhe integritetit të sistemit prokurorial, fatkeqësisht realiteti po dëshmon të kundërtën”, thuhet në reagim.

IKD thekson se U.D. i Kryeprokurorit të Shtetit po vazhdon me mendësinë e vjetër të qeverisjes me Këshillin Prokurorial të Kosovës, duke shfrytëzuar interpretime të pabazuara ligjore të Zyrës Ligjore të Sekretariatit të KPK-së për të prolonguar funksionalizimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe po synon ruajtjen e një mendësie korporatiste brenda sistemit prokurorial.

“Për më tepër, IKD vlerëson se konstatimi i z. Agron Qalaj se propozimi i një (1) anëtari të KPK-së nuk ka marrë votat e nevojshme për miratim është në kundërshtim me Ligjin nr. 08/L-249 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për KPK.

Fillimisht, duhet theksuar se neni 37/A, i cili thekson se: ‘1. Deri në zbatimin e përbërjes së përhershme të Këshillit prej shtatë (7) anëtarësh, kuorumi i Këshillit formohet me gjysmën e anëtarëve të zgjedhur të Këshillit plus një (1) anëtar, duke përfshirë edhe rastet disiplinore, dhe vendimet merren me shumicë të thjeshtë votash të anëtarëve të pranishëm’, është dispozitë kalimtare, e cila ka vlejtur në kohën kur KPK kishte mbi shtatë (7) anëtarë dhe zbritja e numrit të anëtarëve duhej të vinte gradualisht, siç tanimë ka ndodhur.

Tanimë, në situatën kur kjo dispozitë kalimtare ka humbur fuqinë ligjore, aplikohet neni 13 i Ligjit në fjalë, i cili thekson se: ‘1. Kuorumi i Këshillit formohet me pesë (5) anëtarë, duke përfshirë edhe rastet disiplinore, përveç nëse parashihet ndryshe me këtë ligj; 2. Vendimet e Këshillit merren me shumicë të thjeshtë votash të të gjithë anëtarëve të Këshillit, përveç nëse parashihet ndryshe me ligj’”, thuhet në reagim.

IKD më tej thekson se sipas kësaj dispozite, situata është plotësisht e qartë: KPK ka kuorum të mjaftueshëm prej pesë anëtarësh për mbajtjen e takimit.

Ndërkaq, vendimmarrja merret me shumicën e thjeshtë të votave të të gjithë anëtarëve të Këshillit. Ligji nuk i referohet tërësisë së numrit të anëtarëve, por i referohet “anëtarëve të Këshillit”, të cilët aktualisht janë pesë (5), dhe shumica e thjeshtë e tyre është tre.

“Në rastin konkret, propozimi i anëtarit të KPK-së ka përmbushur këtë kriter ligjor, pasi në mbledhje kanë qenë të pranishëm pesë (5) anëtarë të KPK-së, nga të cilët tre (3) kanë votuar pro dhe dy (2) kundër. Rrjedhimisht, propozimi ka marrë votat për miratim dhe do të duhej të konsiderohej i miratuar.

IKD vlerëson se ndërhyrje të tilla në procedurën e vendimmarrjes përbëjnë tentativë për të sabotuar reformën në KPK përmes shkeljeve të hapura ligjore. Instituti i Kosovës për Drejtësi konsideron se përgjegjësia për këtë situatë i takon drejtpërdrejt Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, i cili, në vend se të sigurojë zbatimin e ligjit dhe funksionimin ligjor të KPK-së, ka zgjedhur të bllokojë një proces të rregullt dhe të ligjshëm vendimmarrës”, thuhet në reagim.

IKD i bën thirrje Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, që të veprojë në përputhje me detyrimet ligjore, duke e konstatuar pa vonesa certifikimin e rezultatit zgjedhor të 1 nëntorit 2025, ashtu siç u votua në takimin e djeshëm.

Instituti i Kosovës për Drejtësi më tej thekson se U.D. i Kryeprokurorit të Shtetit do të duhej të shërbente si shembull i respektimit të ligjit dhe procedurës për të promovuar integritetin dhe kredibilitetin e sistemit prokurorial në këtë fazë kalimtare, duke marrë masa për funksionalizimin e Këshillit Prokurorial dhe për tranzicionin e shpejtë dhe pa vonesa te Kryesuesi i ardhshëm i KPK-së. /Telegrafi/