Please enter at least 3 characters.

​IHMK bëhet pjesë e rrjetit evropian EUMETNET, hap i madh për meteorologjinë në Kosovë

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, në kuadër të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), ka nënshkruar Marrëveshjen e Bashkëpunimit me EUMETNET, Rrjetin Evropian të Shërbimeve Kombëtare Meteorologjike dhe Hidrologjike, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt integrimit në komunitetin profesional evropian.

Sipas një njoftimi të IHMK-së, kjo marrëveshje krijon mundësi të reja për modernizimin e shërbimeve meteorologjike dhe klimatike në Kosovë, përmes pjesëmarrjes në programet OPERA, E-WFC (C-SRNWP dhe E-Nowcasting), Climate, EUMETCAL dhe Capacity Capability Area Management.

Përmes këtij bashkëpunimi, IHMK do të përfitojë nga shkëmbimi i të dhënave, ekspertizës, trajnimeve profesionale dhe praktikave më të mira evropiane, me synim përmirësimin e cilësisë së shërbimeve që ofron.

Marrëveshja pritet të kontribuojë në përmirësimin e parashikimeve meteorologjike, zhvillimin e shërbimeve klimatike, forcimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm, ngritjen e kapaciteteve profesionale të institutit dhe harmonizimin e shërbimeve me standardet evropiane.

Sipas IHMK-së, ky është një zhvillim i rëndësishëm për forcimin e rolit të institucionit dhe për ofrimin e shërbimeve gjithnjë e më cilësore për qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës. /Telegrafi/