Please enter at least 3 characters.

Identifikohet shoferi që bëri tejkalim të rrezikshëm në Pejë, i shqiptohet gjobë

Është identifikuar dhe ndëshkuar shoferi i automjetit i cili, sipas pamjeve të publikuara në rrjetin social Facebook, kishte kryer kundërvajtje në rrugën “Besnik Lajqi” në Pejë.

Sipas njoftimit të Policisë, më 25 korrik 2026 një portal kishte publikuar një video-incizim ku shihej një automjet i tipit Mercedes, me targa të Gjermanisë, duke tejkaluar kolonën e automjeteve në krahun e djathtë dhe më pas duke lëvizur në trotuar, për t’u rikthyer sërish në shiritin rrugor.

Ekipet e trafikut në qytet kanë arritur të identifikojnë kundërvajtësin, ndaj të cilit është shqiptuar gjoba për shkeljen e rregullave të komunikacionit.

Shoferi, i cili posedon patentë shofer të një shteti të huaj, me pëlqimin e tij ka pranuar dyfishimin e vlerës së gjobës, në përputhje me dispozitat e Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor.

Ky ligj parasheh mundësinë që drejtuesit me patentë shofer të huaj, me pëlqimin e tyre, në vend të masës së ndalimit të drejtimit të automjetit për tre muaj, t’u shqiptohet dyfishimi i vlerës monetare të gjobës.

Autoritetet kanë bërë të ditur se masat ndaj shkeljeve të tilla synojnë rritjen e sigurisë në komunikacion dhe parandalimin e sjelljeve të rrezikshme në trafik. /Telegrafi/