Please enter at least 3 characters.

Identifikohet personi i gjetur pa shenja jete në Prizren

Policia e Kosovës ka njoftuar se është identifikuar personi i cili u gjet pa shenja jete një ditë më parë në Prizren.

Sipas njoftimit zyrtar, rasti ka ndodhur më 26 mars 2026, rreth orës 11:36, në rrugën “Edit Durham”, ku një person i gjinisë mashkullore, rreth 70 vjeç, është gjetur pa shenja jete.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, hetuesit dhe ekipi i krim-teknikës, ndërsa nuk janë konstatuar shenja dhune në trupin e viktimës.

Trupi i pajetë është dërguar për ekzaminime të mëtejshme në Instituti i Mjekësisë Ligjore, ndërsa me vendim të prokurorit është iniciuar rasti “hetim i vdekjes”.

Policia ka bërë të ditur se fillimisht përmes mediave është kërkuar ndihma e qytetarëve për identifikimin e viktimës. Pas veprimeve hetimore në terren dhe mbledhjes së informatave, hetuesit e Sektorit të Hetimeve Rajonale në Prizren kanë arritur të identifikojnë vendbanimin e viktimës, ndërsa familjarët e tij kanë bërë identifikimin zyrtar.

Policia e Kosovës ka falënderuar mediat dhe qytetarët për bashkëpunimin dhe kontributin e dhënë në këtë proces, duke bërë të ditur se procedurat ligjore do të vazhdojnë edhe në vijim. /Telegrafi/