Ibrahima Konate zbulon se si Mbappe po përpiqet ta bindë t’i bashkohet Real Madridit
Ibrahima Konate ka deklaruar me humor se Kylian Mbappe e telefonon shpesh për ta bindur që të ndjekë shembullin e Trent Alexander-Arnold dhe t’i bashkohet Real Madridit verën e ardhshme.
Konate, i cili ka hyrë në vitin e fundit të kontratës së tij me Liverpoolin, është lidhur me një transferim të mundshëm te gjigantët spanjollë, pasi ende nuk ka nisur negociatat për një marrëveshje të re me kampionët e Ligës Premier.
Të vendosur për të mos përjetuar një tjetër situatë të ngjashme me atë të Alexander-Arnold, drejtuesit e Liverpoolit po përpiqen me çdo kusht ta bindin mbrojtësin francez të rinovojë kontratën.
Megjithatë, ekziston frika se Konate mund të ketë rënë dakord tashmë për t’u transferuar në Madrid.
Që nga fillimi i vitit, Liverpool ka bërë përpjekje për ta bindur lojtarin që të angazhohet për të ardhmen e tij në Anfield, pasi nuk dëshiron ta humbasë atë pa përfitime financiare në vitin 2026.
Gjatë një interviste për kanalin francez TF1, Konate tha me shaka se kapiteni i Francës, Mbappe, po e “shton presionin” për t’u bashkuar me të në Madrid.
"Më telefonon çdo dy orë! Jo, jo, jo”, ka thënë Konate me shaka para gazetarëve.
Konate dhe Mbappe do të rikthehen në fushë të martën, kur Franca do të përballet me Islandën në ndeshjen e dytë të kualifikueseve për Kupën e Botës.
Pas kësaj, të dy do të kthehen te klubet përkatëse në përfundim të pushimit ndërkombëtar./Telegrafi/


