Hyseni: Punët që po bëjmë sot janë baza e ndryshimit të madh që kemi premtuar
Bordi i drejtorëve në Komunën e Gjilanit ka mbajtur takimin e radhës, ku është diskutuar për ecurinë e projekteve në realizim dhe nisjen e projekteve të reja të premtuara.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, bëri të ditur se së bashku me drejtorët kanë analizuar progresin e deritashëm të qeverisjes lokale dhe prioritetet për periudhën në vijim.
“Ky fillim mandati po konfirmon përkushtimin tonë për t’i çuar proceset përpara me efikasitet dhe transparencë”, tha Hyseni.
Sipas tij, gjatë takimit janë trajtuar disa çështje kyçe, përfshirë reformat në Kadastër, ku synohet thjeshtimi i procedurave dhe rritja e efikasitetit në shërbime për qytetarët.
“Projektet e mëdha – jemi në fazën e përfundimit të projekteve madhore infrastrukturore që do të ndryshojnë pamjen e qytetit tonë”, theksoi ai.
Hyseni shtoi se janë përcaktuar edhe hapat konkretë për realizimin e zotimeve të mandatit të ri, si dhe është diskutuar për mbikëqyrjen e vazhdueshme të punimeve në terren.
“Qeverisja jonë, edhe në këtë mandat, po dëshmon një standard të ri të llogaridhënies. Punët që po bëjmë sot janë baza e ndryshimit të madh që kemi premtuar, me fokus të plotë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe mirëqenien e secilit banor. Vazhdojmë me ritëm të shtuar”, deklaroi kryetari Hyseni.
Ai theksoi se angazhimi i institucioneve komunale do të vazhdojë me intensitet, me synim përmirësimin e shërbimeve dhe zhvillimin e përgjithshëm të qytetit. /Telegrafi/


