Hiqet nga Lista e Zezë e SHBA-së shqiptari nga Maqedonia e Veriut i njohur si Abu Qatada al-Albani
Abdul Samrez Jashari, i lindur në Maqedoninë e Veriut dhe i njohur edhe si Abu Qatada al-Albani, është hequr nga lista e personave të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo u bë e ditur përmes vendimeve të fundit të Departamentit Amerikan të Thesarit, i cili ka bërë përditësime në listën e personave të sanksionuar.
Al-Albani është udhëheqës i grupit “Xhemati Albani”, një grup militant i përbërë kryesisht nga shqiptarë etnikë, kishte raportuar REL më 8 janar 2025.Grupi kishte një aleancë me Hayat Tahrir al-Sham (HTS), grup islamist i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, i cili rrëzoi nga pushteti presidentin sirian, Bashar al-Assad, në dhjetor të vitit 2024.
Abdul Jashari ishte i sanksionuar nga SHBA-ja që nga viti 2016. Sipas vendimit të Thesarit, ai ishte sanksionuar si këshilltar ushtarak dhe njëri nga liderët e Al-Nusrës, degë e Al-Kaidës në Siri.
Ai gjithashtu kishte ndihmuar në mbledhjen e fondeve për familjet e luftëtarëve të Nusrës.Më 24.08.2026, Departamenti Amerikan i Thesarit publikoi përditësimet në listën e personave që janë shtuar ose larguar nga lista e sanksioneve.
Në mesin e personave të larguar nga kjo listë është edhe Abu Qatada al-Albani. Krahas tij, nga lista janë larguar edhe persona të tjerë të lidhur me konfliktin në Siri dhe Irak.
Në njoftimin e Departamentit Amerikan të Thesarit thuhet se, në përputhje me premtimin e Presidentit Donald Trump për të lehtësuar sanksionet ndaj Sirisë, Departamenti Amerikan i Shtetit ka anuluar përcaktimin e Sirisë si sponsor shtetëror të terrorizmit.
Shtetet e Bashkuara në korrik të 2025, kishin njoftuar se organizatën Hayat Tahrir al-Sham (HTS), të njohur edhe si Fronti Al-Nusra nuk e konsideronin më terroriste.HTS-ja është grup që dikur kishte lidhje me Al-Kaidën, organizatë terroriste, ndërsa në dhjetor e ka rrëzuar Qeverinë në Siri.


