Vdes një 12-vjeçare në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Spitalin e Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren, ku një paciente 12-vjeçare ka ndërruar jetë në repartin e Pediatrisë.
Pacientja ishte pranuar në spital më 17 dhjetor 2025 në orën 23:45 dhe i ishte nënshtruar trajtimit të plotë klinik dhe laboratorik sipas protokolleve mjekësore, me konsultime nga specialistë të ndryshëm.
Sipas njoftimit zyrtar të spitalit, më 18 dhjetor rreth orës 14:55 gjendja shëndetësore e pacientes u përkeqësua, dhe mjeku pediatër thirri për konsultë kirurgun dhe anesteziologun. Pavarësisht ndërhyrjeve të kryera, pacientja ka ndërruar jetë në orën 15:55.
“Pas konstatimit të vdekjes, familja është njoftuar menjëherë, ndërsa rasti është raportuar te Policia e Shtetit dhe trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore,” thuhet në komunikatën e spitalit. /Telegrafi/


