Please enter at least 3 characters.

Haziri me mesazh: LDK parti e idealistave, PDK e kryengritësve dhe VV e të pakënaqurve

Pas zhvillimeve të fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, nënkryetari i saj, Lutfi Haziri ka theksuar se partia duhet t’i kthehet bazës së saj dhe idealistëve.

Haziri pas zhvillimeve të fundit në këtë parti, përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shprehur se LDK historikisht ka qenë parti e idealistëve, duke bërë një krahasim edhe me partitë e tjera politike në vend.

“LDK ju takon idealistave. Idealistat janë anëtarësia! Në Kosovë, historia na ka mësu që LDK është parti e idealistave, PDK është parti e kryengritësve dhe VV është parti e të pakënaqunve. LDK ju takon idealistave e idealistat e saj janë anëtarësia. Jo funksionarët. Koha t’i kthehemi idealistave”, ka shkruar Haziri.

Ndryshe, të enjten anëtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) u mblodhën në selinë qendrore të partisë, për të disktuar për zhvillimet e brendshme të tyre.

Ndërkaq, të mërkurën u dorëzuan nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), me synimin për shkarkimin e Lumir Abdixhikut nga posti i kryetarit të LDK-së, pasi partia u rendit sërish e treta në zgjedhjet e 7 qershorit. /Telegrafi/