Haxhiu: Procesi i zgjerimit të BE-së të jetë i drejtë dhe i bazuar në merita
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim Komisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, në vizitën e saj të parë zyrtare në Kosovë.
Haxhiu theksoi se Kosova e sheh të ardhmen e saj në Bashkimin Evropian.
“Biseduam për rrugën evropiane të Republikës së Kosovës, për reformat që duhet të çohen përpara dhe për rëndësinë që procesi i zgjerimit të jetë i drejtë, i besueshëm dhe i bazuar në merita”, ka theksuar Haxhiu.
Sipas, ushtrueses së detyrës së presidentes ky është orientim i qytetarëve tanë, projekt shtetëror dhe zgjedhje strategjike.
Prandaj, ka shtuar ajo, presin që përkushtimi ynë ndaj demokracisë, sundimit të ligjit dhe vlerave evropiane të gjejë përgjigje të qartë edhe nga Bashkimi Evropian.
“E falënderova Komisioneren Kos për vizitën dhe për angazhimin e saj në procesin e zgjerimit. Kosova mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të ngushtë me institucionet e BE-së, në interes të qytetarëve tanë dhe të një Evrope më të plotë, më të sigurt dhe më demokratike”, ka thënë ajo. /Telegrafi/


