Please enter at least 3 characters.

Haxhiu i ofroi ndihmë Francës, i reagon deputetja e LDK-së: Deklaratë fyese, ne ende varemi nga KFOR-i për zjarre

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka reaguar ndaj deklaratës së ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, se Kosova është e gatshme t’i ofrojë ndihmë Francës në përballjen me zjarret.

Ymeri ka kritikuar institucionet e Kosovës, duke thënë se vendi ende varet nga kapacitetet e KFOR-it për përballimin e zjarreve, ndërsa ka theksuar edhe kushtet e, siç i ka cilësuar ajo, jo të mira për zjarrfikësit.

“E ranë për besë. Nashta duhet me ja rikujtu Presidencës e Qeverisë që ne vet ende varemi nga kapacitetet e KFOR-it për zjarre. Jo vetëm kjo, por edhe që kushtet e zjarrfikësve janë aspak të mira”, ka shkruar Ymeri.

Ajo e ka cilësuar deklaratën si fyese për qytetarët që, sipas saj, janë përballur me zjarre ndër vite pa pasur kapacitete të mjaftueshme, përfshirë mungesën e helikopterëve.

“Fyese kjo deklaratë për neve që i kem pa zjarret që sa vjet, për të cilat as helikopter nuk ka pas, e që investimet në Mjedis nga VV janë më të ulëtat që 10 vjet”, ka deklaruar deputetja e LDK-së.

Ymeri ka kritikuar gjithashtu qasjen e institucioneve ndaj mbrojtjes së mjedisit, duke ironizuar deklaratën për ofrimin e ndihmës ndaj Francës.

“E ranë për inteligjencën tonë edhe deklarata e UD Presidentes nga kritika e mësimdhënies për BE-në në ofrim të ndihmës për Francën, kur vet si Qeveri janë në stadin që mbrojtjen e mjedisit e manifestojnë me marrjen e tërfurkave e tepsiave në Prevallë. Ndihma për Francë nga tërfurkat e tepsiat”, ka shkruar Ymeri./Telegrafi/