Hansi Flick kërkon një qendërmbrojtës, kontakton fshehurazi yllin e Tottenhamit
Barcelona vazhdon të mbajë kontakte me përfaqësuesit e qendërmbrojtësit të Tottenham Hotspurit, Cristian Romero, megjithëse transferimi i reprezentuesit argjentinas nuk është aktualisht një nga prioritetet kryesore të klubit katalunas.
Sipas gazetarit Matteo Moretto, Romero është i vendosur ta vazhdojë karrierën në Spanjë dhe do të preferonte një kalim në La Liga nëse largohet nga Tottenhami gjatë kësaj vere.
Barcelona po monitoron nga afër situatën dhe vazhdon komunikimin me kampin e lojtarit, por për momentin fokusi i drejtuesve është përforcimi i reparteve të tjera të skuadrës.
Raportohet se katalunasit do t'i rikthehen tregut për një qendërmbrojtës sapo të marrin vendimin përfundimtar lidhur me planet e tyre për repartin ofensiv.
Romero, i cili ka kontratë me Tottenhamin deri në vitin 2029, thuhet se po ushtron presion për t'u larguar, edhe pse vetëm vitin e kaluar rinovoi marrëveshjen me klubin londinez.
Fituesi i Kupës së Botës me Argjentinën vlerësohet si një lider me përvojë, i aftë për të forcuar prapavijën e trajnerit Hansi Flick.
Megjithatë, Barcelona nuk pritet të bëjë një ofertë zyrtare për 28-vjeçarin nëse më parë nuk realizon një largim në repartin e mbrojtjes, i cili do të krijonte hapësirë si në skuadër, ashtu edhe në aspektin financiar./Telegrafi


