Haliti kërkon kompensim nga niveli qendror për dëmet nga stuhia në Viti
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka kërkuar nga institucionet e nivelit qendror që të ndërmarrin masa urgjente për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga stuhia që ka goditur këtë komunë, duke shkaktuar dëme në bujqësi dhe ekonomi familjare.
Haliti ka bërë të ditur se institucionet komunale janë duke i përcjellë nga afër pasojat e stuhisë, ndërsa ka vizituar disa prej zonave të prekura dhe ka takuar qytetarë të dëmtuar.
"Pas stuhisë që goditi komunën tonë dhe shkaktoi dëme të konsiderueshme në bujqësi dhe në ekonomitë familjare, institucionet komunale të Vitisë po i ndjekin nga afër të gjitha zhvillimet dhe po qëndroj pranë qytetarëve të prekur", ka shkruar Haliti në një postim në Facebook.
Ai ka thënë se qytetarët presin që dëmet e tyre të vlerësohen dhe të kompensohen, duke u zotuar se do të përfaqësojë kërkesat e tyre.
"Si kryetar i komunës, do të jem zëri i tyre deri në realizimin e kësaj të drejte", ka deklaruar Haliti.
Kryetari i Vitisë ka theksuar se dëmet e shkaktuara janë të mëdha dhe tejkalojnë mundësitë financiare të komunës, prandaj sipas tij nevojitet mbështetja e institucioneve qendrore.
"Dëmet janë të mëdha dhe tejkalojnë mundësitë financiare të komunës sonë, prandaj mbështetja e nivelit qendror është e domosdoshme", ka shkruar ai.
Haliti ka njoftuar gjithashtu se ka nxjerrë vendim për formimin e Komisionit Komunal për Vlerësimin e Dëmeve, i cili ka nisur punën në terren për evidentimin e pasojave të stuhisë.
"Për të siguruar një proces të drejtë dhe transparent, kam nxjerrë vendim për formimin e Komisionit Komunal për Vlerësimin e Dëmeve, i cili veç se ka filluar punën duke dalë në terren për evidentimin dhe vlerësimin e çdo dëmi të shkaktuar", ka bërë të ditur ai.
Kryetari i Vitisë u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë pësuar dëme në kulturat bujqësore, ekonomitë familjare apo prona të tjera, që t'i raportojnë ato pranë organeve kompetente të komunës, në mënyrë që të përfshihen në procesin e vlerësimit.
"Komuna e Vitisë do të vazhdojë të jetë e angazhuar maksimalisht në mbështetje të çdo qytetari të prekur dhe nuk do të ndalet së kërkuari nga niveli qendror kompensimin e plotë të dëmeve të shkaktuara nga kjo stuhi", ka përfunduar Haliti. /Telegrafi/


