Gurët në idhëz, simptomat dhe rreziku i fshehtë - flet kirurgu Arbër Morina
Gurët në idhëz janë një nga problemet më të përhapura shëndetësore në Kosovë, ku sipas disa të dhënave, çdo i treti person mund të jetë i prekur nga kjo patologji.
Kështu u shpreh kirurgu abdominal Arbër Morina në episodin e 71-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i përkrahur nga United Hospital.
Ai thekson se një nga problemet kryesore është fakti që shumë pacientë nuk janë të vetëdijshëm për praninë e gurëve, pasi në shumicën e rasteve nuk japin simptoma deri në faza më të avancuara.
“Pesëdhjetë për qind e sëmundjeve janë prezentë në trup pa e ditur, deri në momentin kur japin simptoma klinike”, shpjegon Morina.
Sipas tij, faktorët kryesorë që ndikojnë në krijimin e gurëve lidhen ngushtë me stilin e jetesës dhe ushqimin, veçanërisht dieta e pasur me yndyra dhe karbohidrate.
Simptomat më të shpeshta përfshijnë dhimbje pas ushqimit, sidomos në anën e djathtë të barkut, ndjesi rëndese, të vjella dhe në disa raste dhimbje që mund të ngatërrohen edhe me probleme të zemrës.
Morina paralajmëron se nëse kjo gjendje neglizhohet, mund të çojë në komplikime serioze, përfshirë infeksione të rënda apo edhe shpërthim të idhzës, duke rrezikuar jetën e pacientit.
Ai thekson se trajtimi i vetëm efektiv është ndërhyrja kirurgjikale, e cila sot realizohet me metoda minimale invazive, përmes laparoskopisë, me një qëndrim shumë të shkurtër në spital.
Një tjetër rrezik i rëndësishëm është migrimi i gurëve në kanalet kryesore, duke bllokuar funksionin e mëlçisë dhe pankreasit. Në këto raste, shenja e parë alarmante është zverdhja e syve dhe e lëkurës. /Telegrafi/


