Greva në RTK vazhdon edhe sot, ndalohet puna nga ora 11:00 deri në 13:00
Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK), ka njoftuar se greva e paralajmëruar do të vazhdojë sot sipas planit, duke kërkuar nga të gjithë punëtorët që ta respektojnë plotësisht masën sindikale.
Sipas njoftimit të SPERTK-së, për dy orë rresht nga ora 11:00 deri në 13:00 në të gjitha sektorët e RTK-së nuk duhet të kryhet asnjë aktivitet pune.
“Ju lusim që të gjithë ta respektojnë plotësisht grevën. Nëse dikush përjeton presion, ndërhyrje apo tentativa për ta bojkotuar grevën, ju lutemi të na shkruani menjëherë në email-in zyrtar,” thuhet në komunikatën e sindikatës.
SPERTK ka rikujtuar se Ligji Sindikal dhe ai për Grevat ndalojnë çdo formë presioni ndaj punëtorëve, dhe se çdo rast i tillë do të raportohen te organet kompetente.
Sindikata gjithashtu ka bërë të ditur se sot nga ora 12:00 mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës dhe, në rast se aty përmendet RTK, pjesa që lidhet me transmetuesin publik duhet të transmetohet.
SPERTK thekson se greva nuk do të ndërpritet deri në momentin kur të alokohet buxheti për RTK, një kërkesë që sindikata e konsideron jetike për funksionimin normal të transmetuesit publik. /Telegrafi/


