Please enter at least 3 characters.

Gjykimi i arsimtarit që hodhi flamurin kombëtar dhe plisin në shportën e mbeturinave

Në gjykimin ndaj mësimdhënësit Muhamed Hajredinaj, i akuzuar për nxitje të përçarjes dhe urrejtjes, në cilësi të dëshmitarit është dëgjuar ushtruesi i detyrës së drejtorit të shkollës SHFMU “Xhemail Mustafa”, në Prishtinë, Fatos Berisha.

Muhamed Hajredinaj nga Prokuroria Speciale po akuzohet se në cilësinë e arsimtarit të Gjuhës angleze, me rastin e Festës së Flamurit, për shkak të “bindjes fetare” ka hedhur flamurin kuq e zi dhe plisin e bardhë në shportën e mbeturinave.

Dëshmitari Berisha tha se në kohën kur kishte ndodhur rasti ai ka qenë në pozitën e zëvendësdrejtorit të shkollës së sipërpërmendur.

Dëshmitari tha se më 27.11.2024, kur kishte ndodhur rasti, ka qenë i planifikuar të mbahet programi i shkollës për nder të festës së 28 Nëntorit.

“Atë ditë kemi planifku me bë një program me përgatitjet e nxënësve, ku realisht u është bërë i ditur edhe stafit, edhe nxënëse të veshur me simbole kombëtare, sidomos nxënësve, ndërsa mësimdhënësit e kanë pasur joobligative” – tha dëshmitari.

Dëshmitari tha se vetëm 15 minuta pasi kishte filluar procesi mësimor atë ditë i kishte telefonuar një prind, i cili i kishte kërkuar sqarim se pse kishte ndodhur largimi i fëmijës së tij nga ora mësimore.

Ai tha se gjatë kohës se ai ishte duke biseduar në telefon në ato momente ishte duke shkuar te ai edhe vajza të cilin i pandehuri e kishte larguar nga ora mësimore.

Për nxënësen dëshmitari tha se në kokë kishte të vendosur plisin me shqiponjë dhe se kishte qenë e veshur me rroba kuq e zi.

Dëshmitari tha se pastaj kishte shkuar në klasën ku ishte i pandehuri duke mbajtur orën mësimore, dhe e kishte pyetur se cila ishte arsyeja e largimit të nxënëses nga mësimi.

“Kur ia kam bërë pyetjen: “Pse e largove nxënësen?”, ky ma ka bo me gisht në drejtim të kokës së vet, saktësisht ka vendosur gishtin mbi kokën e tij dhe kur u drejtova nga vajza e pash se në plis e ka shqiponjën. Nuk e dija a e ka për plis a për shqiponjën. Edhe unë ia kam bo pyetjen: “A e ke fjalën për plis, për shqiponjën apo për të dyjat?” Dhe ma ka kthy: “Për të dyjat”” – tha dëshmitari.

Më tej dëshmitari tha se pas përfundimit të orës mësimore, disa nxënës kishin shkuar te zyrja e tij dhe i kanë thënë se i pandehuri e ka gjuajtur flamurin dhe plisin.

Dëshmitari tha se pasi ishte njoftuar me ngjarjen e kishte njoftuar DKA-në.

Lidhur me të pandehurin, dëshmitari tha se edhe më herët ka pasur vërejtje të shumta.

Dëshmitari bëri të ditur se ankesat e prindërve të cilat janë adresuar ndaj të pandehurit kanë qenë për shkak të ligjëratave fetare që i pandehuri u ka mbajtur nxënësve.

“Zakonisht ankesa prej prindërve kanë qenë se ky iu ka drejtu nxënësve me ligjërata me përmbajtje fetare, p.sh. pse je veshur shkurt me maicë, nuk e lejon feja etj. etj. Gjëra të cilat kanë karakter fetar” – tha dëshmitari.

Ndër të tjera, dëshmitari Berisha tha se në asnjë mënyrë nuk lejohet largimi i nxënësit nga mësimi pasi të njejtit janë të moshës së mitur.

Meqenëse nuk kishte dëshmitarë të tjerë, seanca e sotme u ndërpre dhe e radhës u caktua për në muajin janar 2026.

Për dëshmitaren Margareta Shabani, për mosardhjen e saj në seancë për të dëshmuar, Gjykata i shqiptoi gjobën e dytë në lartësi prej 100 euro si dhe u urdhërua sjellja me forcë për në seancën e radhës.

Ndryshe, Gjykata në seancën e kaluar të datës 14.11.2025 dëshmitares Margareta Shabani për mosardhjen e saj në seancë për të dëshmuar i ka shqiptuar gjobë në lartësi prej 50 euro si dhe i kishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim.

Ky rast po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës nga trupi gjykues i përbërë nga Leon Përlaska (kryetar i trupit gjykues), Violeta Namani-Hajra dhe Ngadhnjim Arrni (anëtarë).

Gjykata e Prishtinës e ka lënë në fuqi aktakuzën ndaj të akuzuarit Muhamed Hajredinaj, i akuzuar për veprën penale – nxitja e përçarjes dhe mosdurimit.

Shqyrtimi fillestar lidhur më këtë rast është mbajtur më 12.05.2025.

Në seancën fillestare, i akuzuari Hajredinaj kishte deklaruar se nuk e pranon fajësinë për veprën penale të cilën po akuzohet nga Prokuroria Speciale.

“Nuk ndihem fajtor” – kishte thënë i akuzuari Hajredinaj.

Dosja e Prokurorisë

Sipas dosjes së Prokurorisë, më 27.11.2024, rreth orës 08:00, në objektin e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Xhemail Mustafa” në Prishtinë, i pandehuri Hajredinaj duke vepruar në cilësinë zyrtare si arsimtar i Gjuhës angleze, me qëllim të nxitjes së urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit midis grupeve kombëtare, etnike dhe fetare në Kosovë ka ndërmarrë veprime konkrete.

Në aktakuzë thuhet se sapo ka hyrë në klasën 6/4 dhe i përballur me pamjen e nxënësve me simbole kombëtare shqiptare me rastin e festës së flamurit kombëtar shqiptar, i pandehuri për shkak të bindjeve të tij fetare, të cilat i ka shprehur edhe më parë në prani të nxënësve ka marrë flamurin kuq e zi dhe plisin dhe me gjithë kundërshtimet e nxënësve i ka hedhur ato në shportën e mbeturinave.

Tutje në aktakuzë thuhet se ai e ka larguar nga ora mësimore një nxënëse, e cila i mbante këto simbole kombëtare, me qëllim të pjesëmarrjes në programin festiv të organizuar nga Shkolla për Ditën e Flamurit – për çka- me këto veprime të kryera publikisht ka nxitur urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve kombëtare, etnike dhe fetare.

Për shkak të veprimeve të lartpërmendura i pandehuri Hajredinaj nga Prokuroria Speciale po akuzohet se ka kryer veprën penale – nxitja e përçarjes dhe mosdurimit, raporton Kallxo.