Please enter at least 3 characters.

Gjykata Supreme merr vendimin që do ta lejojë Trumpin të dëbojë afro 1 milion njerëz

Gjykata Supreme e SHBA-së ka hapur sërish rrugën për administratën Trump për të hequr mbrojtjen e përkohshme ligjore nga qindra mijëra emigrantë, duke e çuar numrin total të njerëzve që mund të ekspozohen rishtazi ndaj dëbimit në afro 1 milion.

Gjykata ka lejuar administratën e presidentit Donald Trump të revokojë statusin e përkohshëm ligjor të qindra mijëra emigrantëve venezuelianë, kubanë, haitianë dhe nikaraguanë që jetojnë në vend, duke lehtësuar përpjekjet e presidentit republikan për të rritur dëbimet.

Bëhet e ditur se gjykata pezulloi vendimin e një gjyqtari federal, i cili kishte bllokuar planin e administratës për t'i dhënë fund autorizimit të përkohshëm të imigracionit, dhënë 532,000 emigrantëve nga paraardhësi i Trumpit, Joe Biden.

Dy nga tre anëtarët liberalë të gjykatës, Ketanji Brown Jackson dhe Sonia Sotomayor, nuk e mbështetën vendimin, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.

Leja e përkohshme e imigracionit lejon qëndrimin në vend bazuar në "arsye urgjente humanitare ose kontribut të rëndësishëm publik" dhe u lejon mbajtësve të jetojnë dhe punojnë në Shtetet e Bashkuara.

Trump autorizoi heqjen e lejeve në një urdhër ekzekutiv që nënshkroi më 20 janar, ditën e parë të mandatit të tij të dytë dhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare filloi t'i revokojë ato në mars.

Administrata ka thënë se përfundimi i statusit të përkohshëm ligjor do të lehtësojë një proces të përshpejtuar dëbimi për migrantët.

Raportohet se ky është një nga rastet e shumta që administrata Trump ka dërguar në Supreme për të rrëzuar vendimet e gjyqtarëve që pengojnë zbatimin e politikave të saj.

Ndryshe, më 19 maj, Gjykata Supreme lejoi Trumpin të revokojë mbrojtjen e përkohshme nga dëbimi, të dhënë nga administrata Biden për rreth 350,000 venezuelas në SHBA, ndërsa çështja është ende në pritje të një vendimi nga gjykatat më të ulëta.

Në një përpjekje për të reduktuar numrin e kalimeve të paligjshme të kufijve, Biden filloi në vitin 2022 duke lejuar venezuelianët që hynë në SHBA nga ajri të kërkojnë një leje qëndrimi dyvjeçare nëse kalojnë kontrollet e sigurisë dhe kanë një sponsor financiar amerikan.

Biden e zgjeroi atë proces për kubanezët, haitianët dhe nikaraguanët në vitin 2023, pasi administrata e tij u përball me një valë emigracioni të paligjshëm. /Telegrafi/