Gjykata refuzon kërkesën e Besim Kelmendit për masën e sigurisë dhe rikthimin si U.D. Kryeprokuror i Shtetit
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative ka refuzuar kërkesën e Besim Kelmendit për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë dhe për pezullimin e vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), me të cilin ai ishte shkarkuar nga pozita e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Vendimi është marrë më 4 dhjetor nga gjyqtarja Valbona Gjonbalaj, pasi Gjykata konstatoi se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së përkohshme, të parapara në nenet 99 dhe 100 të Ligjit për Konfliktet Administrative.
Përmes përfaqësuesit të tij ligjor, avokatit Flakron Sylejmani, Besim Kelmendi kishte paraqitur padi ndaj KPK-së, duke kërkuar anulimin e vendimit të KPK-së, dhe njëkohësisht kishte kërkuar: Pezullimin e zbatimit të këtij vendimi, si masë të përkohshme sigurie dhe rikthimin e tij në detyrën e U.D. Kryeprokurorit të Shtetit, deri në vendosjen meritor dhe përfundimtare të gjykatës.
Kelmendi pretendonte se vendimi i KPK-së ishte marrë pa kuorum dhe pa respektim të procedurave ligjore, gjatë një takimi të dytë të mbajtur më 20 nëntor. Sipas tij, shkarkimi i tillë i shkaktonte dëm të rëndë, të menjëhershëm dhe të pakthyeshëm, përfshirë dëm reputacional dhe profesional, dhe krijonte pasiguri institucionale në udhëheqjen e Prokurorisë së Shtetit. Ai argumentonte se pezullimi i vendimit nuk cenonte interesin publik, por përkundrazi e mbronte sundimin e ligjit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Nga ana tjetër, Këshilli Prokurorial i Kosovës i kishte kërkuar gjykatës refuzimin e plotë të masës së përkohshme, duke theksuar se: Pozita e U.D. Kryeprokurorit nuk përbën mandat të garantuar ligjor dhe është funksion i përkohshëm e i zëvendësueshëm; Largimi nga kjo pozitë nuk e cenon statusin profesional të Kelmendit, i cili vazhdon të jetë prokuror i shtetit, pa humbur as të drejtat e punësimit dhe as pagën; Pretendimet për dëm të pakthyeshëm janë subjektive dhe të pabazuara në prova konkrete; Interesi publik kërkon funksionim të qëndrueshëm dhe neutral të Prokurorisë së Shtetit pa ndërhyrje gjyqësore në vendimmarrjen e KPK-së.
Në arsyetimin e saj, Gjykata theksoi se për vendosjen e masës së përkohshme duhet të ekzistojnë dy kushte kumulative: dëmi real, i rëndë dhe i pakthyeshëm për paditësin dhe mungesa e cenimit të interesit publik.
Sipas gjykatës, paditësi nuk arriti të provojë ekzistencën e një dëmi të pakthyeshëm, pasi detyra e U.D. Kryeprokurorit është përkohshme dhe humbja e saj mund të kompensohet juridikisht me vendim përfundimtar – rikthim në pozitë apo kompensim material.
Po ashtu, Gjykata konstaton se pretendimet për dëm reputacional apo profesional janë konsideruar deklarative dhe të paargumentuara me fakte konkrete;
Sipas gjykatës, pezullimi i vendimit do të cenonte interesin publik, do të krijonte paqartësi institucionale dhe do të ndërpriste proceset e rregullta të vendimmarrjes në sistemin prokurorial.
Gjykata përfundimisht konstatoi se kushtet ligjore nuk janë përmbushur në mënyrë kumulative, prandaj kërkesa e Kelmendit për masë të përkohshme sigurie është refuzuar.
Kundër këtij aktvendimi, pala paditëse ka të drejtë ankese brenda 7 ditëve nga dita e pranimit të vendimit, në Gjykatën e Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Padinë e plotë të Besim Kelmendit mund ta lexoni duke klikuar KËTU.
Rasti i Besim Kelmendit që është raportuar nga “Betimi për Drejtësi”.
Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, është shkarkuar nga kjo pozitë në mbledhjen e së enjtes (20 nëntor 2025) me vendim të marrë nga pesë anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
KPK-ja pas shkarkimit të Kelmendit, si u.d Kryeprokuror të Shtetit caktoi prokurorin Agron Qalaj.
Më 19 nëntor, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ishte intervistuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) në cilësinë e dëshmitarit lidhur me procesin hetimor për masakrën e Reçakut.
Kelmendi pas intervistimit kishte deklaruar se deri më 2001 s’ka qenë në Reçak.
Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurit të Shtetit, Besim Kelmendi në mbledhjen e Këshillit pasi u propozua shkarkimi i tij nga kjo pozitë, kishte deklaruar se kjo është e planifikuar në mënyrë që në këtë pozitë të vijë njeriu i besueshëm i atyre që po dëshirojnë ta shkarkojnë.
Një ditë më parë, anëtari i KPK-së, Visar Krasniqi, e bëri drejtpërdrejt përgjegjës kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufajn, duke thënë se ai qëndron prapa gjithë procesit të shkarkimit të Besim Kelmendit.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës i ka cilësuar të pasakta dhe ta pabazuara deklarimet disa anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës se Blerim Isufaj qëndron prapa shkarkimit të u.d të Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.
Zyra e BE-së ka reaguar duke thënë se shkarkimi i Kelmendit pengon reformën e nevojshme të KPK-së dhe progresin e Kosovës në rrugën drejt BE-së
Ndërkohë, IKD ka vlerësuar se shkarkimi abuziv i U.D. Kryeprokurorit të Shtetit është tentativë e qartë për ruajtjen e strukturës korporatiste në KPK.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se në koordinim me shtetet e QUINT-it po analizojnë zhvillimet serioze në KPK. Tha se është e pafalshme që 26 vjet pas luftës anëtarët e Këshillit ndihen të kërcënuar.
Pesë anëtarët e KPK-së që vendosën për shkarkimin e Kelmendit, i vlerësuan si të pavërteta e të pabazuara deklarimet për kërcënime ndaj pjesës tjetër të anëtarëve.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka njoftuar se pas takimit urgjent të zhvilluar me Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), i ka bërë thirrje këtij të fundit për zbatim të plotë të reformës në këtë institucion, të sigurojë ligjshmërinë e vendimeve dhe të veprojnë me integritet./BetimipërDrejtësi/

