Gjithçka gati për “Albaniades”
Kështu janë shprehur të mërkurën në një konferencën për media, organizatorët e kësaj ngjarje joshëse sportive, që zhvillohen për herë të dytë në vendin tonë.
Sipas organizatoreve qëllimi i “Albaniades” është që gjeneratat e reja të njoftohen me sportet dhe lojërat që të parët tanë i kanë luajtur si dhe që të tërheqë interesimin e turistëve, por edhe kureshtarëve të tjerë nga rajoni dhe bota.
Ekrem Tahiri, njëri nga organizatorët e “Albaniada”, ka thënë se edicionin i sivjetme do te këtë dy elemente kryesore, Sportet në të cilat do të garohet dhe lojërat në të cilat do te interpretohen nga ansamblet. Ai ka thënë se ideja për këtë eveniment sportive ka nisur më herët, por që është jetësuar vitin e kaluar. Tahiri thotë se “Albaniada” synon të bëhet tradicionale, e cila do të mbledh garues nga vendet e ndryshme ku jetojnë shqiptarët.
“Albaniada’ do të mbahet në këtë fundjave. Shpresoj në mot të mirë. Vitin e kaluar nuk kemi pasur fat dhe është dashur ta shtyjmë për një javë. Sivjet kemi shpresa të mëdha sipas metrologeve gjatë të shtunës dhe të dielën nuk do të ketë të reshura në mënyrë që kushtet për ta mbjatur ‘Albaniada’ të jenë shumë të mira. Arsyeja pse ne kemi filluar të bëjmë këtë eveniment ka nisur disa vite më herët, mirëpo është kurorëzuar vitin e kaluar me edicionin e parë e cila kishte të bënte edhe me 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Tash ne po mbajmë edhe edicionin e dytë duke pretenduar që ky eveniment të bëhet tradicional”, ka thënë Tahiri.
Sipas tij, qëllimi i “Albaniada” është që përmes këtyre evenimenteve të dokumentohet një pjesë e mirë e këtyre sporteve si individual e po ashtu edhe kolektive në mënyrë që të rikthehet një pjesë e mirë e traditës sonë.
“Gjatë historisë shumë të vjetër të popullit tonë nëse e marrim edhe periudhën Ilire më shumë se tremijë vjeçare, populli ynë ka kultivuar shumë sporte e lojëra dhe zakonisht zanafilla e tyre është e ndryshme dhe e llojllojshme duke pasur parasysh edhe territorin ku është shtrire populli ynë dhe ku jeton. Ne po synojmë që gradualisht përmes këtyre evenimenteve me i dokumentuar një pjesë të mirë të këtyre sporteve si individual e po ashtu edhe kolektive dhe ta kthejmë prapa një pjesë të mirë të traditës sonë të jetës sonë të përditshme apo në një formë tjetër të organizuar. Një numër i konsiderueshëm i këtyre sporteve dhe lojëra që ne do t’i prezantojmë në edicionin e dytë të ‘Albaniada’ janë të panjohura kryesisht për gjeneratat e reja, por edhe për të tjerët, sepse ka një kohë të gjatë që nuk po aplikohen as nëpër fshatra dhe në këtë formë kanë filluar të harrohen”, tha Tahiri.
Ai shpreson shumë se me ndihmën e mediave dhe ndihmën e të tjerëve t’i dokumentojmë këto sporte duke i xhiruar, por ai thotë se pretendon ta botojë një libër përmes këtyre lojërave, ku do të përshkruhen rregullat dhe do të ilustrohen se si luhen se cila lojë.
Tahiri pohon se synim është që të krijojmë diçka unike jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë diçka të ngjashme që kanë bërë edhe popujt tjerë si skocezët, gjermanët, anglezët, spanjollët e popuj të tjerë.
Sipas Tahirit përderisa në vitin e parë ‘Albaniada’, qellim ka pasur prezantimin e lojërave tradicionale, ky edicion do te këtë dy elemente kryesore si sportet në të cilat do të garohet dhe lojërat në të cilat do të interpretohen nga ansamblet. Ai thekson se për dallim nga edicioni i parë do të ketë edhe karakter garues dhe ngjarja do te kulminoj me shpalljen e kampioneve në një numër prej 30 sporteve tradicionale.
Organizatorët e kësaj ngjarje sportive, kanë bërë të ditur se hapja zyrtare e “Albaniades” do të bëhet me ndezjen e flakadanit te saj ‘identifikues’, të krijuar enkas për ketë ngjarje dhe flaka do të qëndroj e ndezur gjatë gjithë ngjarjes.
Lojërat të cilat do të luhen në kuadër të “Albaniadës” janë përfshirë pothuajse nga të gjitha trevat shqiptare dhe përafërsisht janë 100 lojëra. Sipas organizatorëve, Rrasash, Shejaz, Shtizash, Kapuças, Shpatash janë lojërat më të njohura dhe më të dashurat për publikun.
Sportet dhe lojërat të cilat luhen nëpër hapësira të mbyllura do të realizohen nëpër hapësira të tilla të përshtatshme siç janë “Odat”, kurse sportet dhe lojërat që duhet të luhen nëpër hapësira të jashtme do të realizohen në fusha dhe në skena të hapura që gjendet në këtë fshat.
Organizatorët e “Albaniadas”, kanë bërë të ditur se fituesit do te shpërblehen me medalje të krijuar enkas për këtë eveniment si dhe do te shpërblehen me mirënjohje. Organizatorët e kanë lënë të hapur mundësinë që në edicionet e ardhshme fituesit e kësaj ngjarje të shpërblehen edhe parë në mënyrë që pjesëmarrësit e kësaj ngjarje të kenë një motiv më të madh.
Sipas agjendës së përcaktuar nga organizatoret, “Albaniada” do të mbahet dy dite më orar të caktuar për sportet dhe lojërat prej orës 10:00 deri në orën 22:00. Ndërsa, përmbyllja e “Albaniades” do të realizohet me një përformancë madhështore.
“Albaniades” Olimpiada e Sporteve dhe Lojërave Tradicionale Shqiptare është mbështetur financiarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe nga Kompania “Ipko”. /Kosovapress/Telegrafi/


