Please enter at least 3 characters.

Drejtori i një shkolle në Gjakovë dyshohet se ngacmoi seksualisht një nxënëse, Gjini reagon pas thirrjes së Rrjetit të Prindërve

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka reaguar publikisht pas reagimit të Rrjetit të Prindërve Edukues të Kosovës lidhur me video-investigimin e emisionit “Piranjat”, ku pretendohet për ngacmim seksual ndaj një të miture nga drejtori i shkollës “Pjetër Bogdani” në Demjan.

Në një postim në Facebook, Gjini e ka dënuar rastin, duke thënë se siguria dhe mbrojtja e fëmijëve janë “vija të kuqe” dhe se nuk do të ketë kompromis.

“Dënoj me ashpërsinë më të madhe aktin e papranueshëm dhe thellësisht të rëndë të shfaqur në emisionin investigativ ‘Piranjat’. Siguria, dinjiteti dhe mbrojtja e fëmijëve tanë janë vija të kuqe të pakontestueshme për institucionet tona, mbi të cilat nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë asnjë kompromis”, ka shkruar Gjini.

Ai ka bërë të ditur se komuna është distancuar nga “individi” dhe se ai është pezulluar menjëherë nga pozita e drejtorit të shkollës, sipas procedurave ligjore.



“Në emër të Komunës së Gjakovës dhe në emrin tim personal, distancohem plotësisht dhe pa asnjë rezervë nga ky individ dhe çdo veprim i tij i turpshëm… Personi në fjalë është pezulluar menjëherë nga pozita e drejtorit të shkollës sipas procedurave ligjore në fuqi”, ka deklaruar ai.

Gjini ka thënë se komuna do të ofrojë bashkëpunim të plotë me organet e rendit dhe prokurorinë, me qëllim që rasti të marrë dënimin maksimal ligjor.

“Komuna ka ofruar dhe do të vazhdojë të ofrojë bashkëpunim të plotë e të pakushtëzuar për organet e rendit dhe prokurorinë me qëllim që ky rast të marrë dënimin maksimal ligjor”, ka shkruar ai.

Në reagim, kryetari i Gjakovës ka pretenduar gjithashtu se personi i përmendur “nuk ka qenë pjesë e strukturave të Aleancës që nga viti 2021”, duke shtuar se ka kërkuar konfirmim zyrtar nga kryetari i Degës në Gjakovë.

“Dua të sqaroj opinionin publik se personi në fjalë nuk ka qenë pjesë e strukturave të Aleancës që nga viti 2021… kam kërkuar menjëherë konfirmimin zyrtar nga kryetari i Degës në Gjakovë, Flamur Fetahaj, për të siguruar se ky individ nuk ka asnjë lloj lidhjeje apo angazhimi me ne”, ka shkruar Gjini.

Ai ka shtuar se rasti duhet të shërbejë si “mesazh i prerë” për këdo që tenton të keqpërdorë emrin dhe logon e komunës apo të Aleancës.

“Ky le të jetë një mesazh i prerë për secilin që tenton të keqpërdorë emrin dhe logon e Komunës apo të Aleancës për veprime të tilla të turpshme”, ka theksuar ai.

Gjini ka siguruar qytetarët se sistemi arsimor në Gjakovë do të mbetet “mjedis i sigurt” dhe se kushdo që cenon këtë siguri “do të përballet me forcën më të rreptë të ligjit”.

“Dua të siguroj të gjithë qytetarët, prindërit dhe nxënësit se sistemi arsimor në Gjakovë do të mbetet një mjedis i sigurt për fëmijët tanë, dhe kushdo që tenton ta cenojë këtë siguri do të përballet me forcën më të rreptë të ligjit dhe me largim të menjëhershëm nga institucionet tona”, ka shkruar ai.

Reagimi i tij vjen pasi Rrjeti i Prindërve Edukues të Kosovës i është drejtuar mediave, MASHTI-t, Prokurorisë së Shtetit dhe Komunës së Gjakovës, duke kërkuar veprime urgjente ndaj rastit, përfshirë hetim penal dhe largim të menjëhershëm nga funksioni publik i personit të përmendur në video-investigim.

Në reagimin e Rrjetit, thuhet se video-investigimi “ka nxjerrë zbuluar… ngacmimin seksual të një të miture 17-vjeçare”, ndërsa kërkohet “ndjekje penale dhe shkarkim i menjëhershëm”, si dhe masa shtesë, përfshirë vendosjen e “kutive të ankesave” nëpër shkolla, krijimin e një platforme digjitale nacionale për raportim dhe veting psikologjik e etik për staf të shkollave.

Telegrafi do të përcjellë zhvillimet e mëtejme lidhur me rastin dhe veprimet e institucioneve përgjegjëse. /Telegrafi/