Please enter at least 3 characters.

Gjiganti anglez nis bisedimet me Alonson për emërimin si trajner

Chelsea po kërkon trajnerin e ri për sezonin e ardhshëm dhe emri i Xabi Alonsos është shfaqur si kandidati kryesor për të marrë drejtimin e skuadrës londineze.

Sipas raportimeve të fundit, klubi ka hapur tashmë bisedimet me ish-trajnerin e Real Madridit, i cili shihet si një nga opsionet më serioze për të zëvendësuar stafin aktual teknik.

Alonso, i cili ka tërhequr vëmendje të madhe pas periudhës së tij të shkurtër por të suksesshme si trajner, thuhet se është i hapur për një rikthim në futbollin anglez.

Burime pranë negociatave bëjnë të ditur se ai është i gatshëm të dëgjojë ofertën e Chelseat dhe në rast marrëveshjeje, mund të marrë menjëherë drejtimin e ekipit.

Sipas raportimeve të mediave spanjolle, nëse Alonso vendos të pranojë ofertën, Chelsea është i gatshëm t’i besojë atij projektin afatgjatë të klubit.

Në të njëjtën kohë, thuhet se Arne Slot pritet të vazhdojë punën te Liverpooli, duke e ulur mundësinë e një lëvizjeje të Alonsos drejt “Anfield”-it në këtë moment.

Gjatë javëve të fundit, emri i Alonsos është lidhur edhe me Liverpoolin, sidomos në rast të ndryshimeve të mundshme në stolin e tyre. Megjithatë, duket se Chelsea ka lëvizur më shpejt në garën për shërbimet e tij.

Në listën e alternativave të Chelseat përfshihet edhe trajneri i Bournemouth, Andoni Iraola, i cili pritet të largohet në fund të sezonit.

Po ashtu, në orbitën e klubit londinez përmenden edhe emra si Filipe Luis, Oliver Glasner dhe Marco Silva.

Vendimi final për trajnerin e ri të Chelseat pritet të merret në javët në vijim, me Alonson që aktualisht konsiderohet opsioni më i fortë për të marrë drejtimin e “Bluve të Londrës”. /Telegrafi/