Gjesti, Gimbo dhe Selin të pranishëm në varrimin e Laurent Krasniqit
Në Llukar të Prishtinës është zhvilluar sot ceremonia e varrimit të Laurent Krasniqit, i cili u nda tragjikisht nga jeta pas një aksidenti me motor.
Në ceremoninë mortore janë mbledhur familjarë, miq, kolegë dhe shumë qytetarë, të cilët e përcollën Laurent Krasniqin në banesën e fundit dhe i dhanë lamtumirën e fundit.
Në mesin e të pranishmëve u panë edhe disa prej figurave të njohura të ekranit dhe rrjeteve sociale, mes tyre Gjesti, Selin dhe Gimbo.
Prania e tyre tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve, veçanërisht ajo e Gjestit, i cili kishte ndarë me Laurent Krasniqin eksperiencën në edicionin e tretë të Big Brother VIP Kosova.
This browser does not support the video element.
Dyshja kishte kaluar disa javë së bashku brenda shtëpisë së BBVK3, ku gjatë kësaj eksperience televizive kishin krijuar një raport miqësor.
Laurent Krasniqi, i njohur për publikun si TikToker dhe ish-banor i Big Brother VIP Kosova 3, humbi jetën tragjikisht pas një aksidenti me motor gjatë natës së së mërkurës në Prishtinë.
Lajmi për vdekjen e tij tronditi familjarët, miqtë dhe ndjekësit e tij, ndërsa sot, në Llukar, të gjithë ata që e njohën u mblodhën për ta përcjellë në udhëtimin e tij të fundit.
Varrimi u zhvillua mes dhimbjes dhe pikëllimit të të afërmve, ndërsa kujtimi për Laurent Krasniqin do të mbetet te familjarët, miqtë dhe shumë prej atyre që e njohën përmes rrjeteve sociale dhe paraqitjeve të tij televizive. /Telegrafi/


